Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BISEDË ME NJË TË INTERESUAR

Pse ta shqyrtojmë Biblën?

Pse ta shqyrtojmë Biblën?

Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitar i Jehovait bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitar që quhet Blerim i predikon një burri me emrin Altin.

BIBLA​—E SAKTË NGA ANA HISTORIKE

Altini: Shiko, nuk jam edhe aq fetar. Kështu që mendoj se s’kemi shumë për të folur.

Blerimi: Faleminderit që ma the këtë! Meqë ra fjala, quhem Blerim. Po ti?

Altini: Altin.

Blerimi: Gëzohem, Altin!

Altini: Edhe unë.

Blerimi: Nëse më lejon të të pyes, je rritur në familje fetare?

Altini: Po, por ika nga shtëpia për të ndjekur fakultetin dhe s’kisha më lidhje me fenë.

Blerimi: Kuptoj. Për çfarë ke studiuar?

Altini: Për sociologji dhe histori. Më ka pëlqyer gjithnjë historia. Për shembull, njeriu përgjatë historisë.

Blerimi: Historia është e bukur. Mbase ke dëgjuar se edhe Bibla është libër historik. Të ka rastisur të përdorësh Biblën gjatë studimeve?

Altini: Të them të drejtën, jo. Di që është libër i mirë, por s’e kam parë ndonjëherë si libër historik.

Blerimi: Dukesh njeri mendjehapur. Nëse ke pak minuta, dua të të tregoj ca shembuj nga Bibla që vërtetojnë se është e saktë nga ana historike.

Altini: Pse jo. Vetëm se nuk kam Bibël.

Blerimi: Mos ki merak. I shohim në Biblën time. Shembulli i parë gjendet këtu te 1 Kronikave 29, vargjet 26, 27. Këtu thuhet: «Davidi, biri i Jeseut, mbretëroi në tërë Izraelin. Ai mbretëroi 40 vjet në Izrael. Në Hebron mbretëroi 7 vjet, kurse në Jerusalem mbretëroi 33 vjet.»

Altini: Ç’lidhje ka kjo me saktësinë historike?

Blerimi: Po ja, dikur kritikët mendonin se mbreti David nuk ka ekzistuar kurrë.

Altini: Ashtu?! E pse e vinin në dyshim ekzistencën e tij?

Blerimi: Sepse, përveç Biblës, askund tjetër nuk gjendeshin prova se ishte person real. Por në vitin 1993 një grup arkeologësh zbuluan një gur shumë të lashtë ku gjendej një fjalë që përkthehet «Shtëpia e Davidit».

Altini: Interesante!

Blerimi: Një njeri tjetër për të cilin kanë dyshuar në ka ekzistuar apo jo, ishte Ponc Pilati, guvernator në ditët e Jezuit. Ai përmendet këtu te Luka 3, vargu 1 mes shumë qeveritarëve të tjerë të asaj kohe?

Altini: Po, kuptoj. Këtu thotë: «Kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë dhe Herodi ishte qeveritar i krahinës së Galilesë.»

Blerimi: Tamam. Për vite me radhë disa studiues dyshonin nëse Ponc Pilati ishte real. Pastaj, rreth 50 vite më parë, në Lindjen e Mesme u gjet një gur ku ishte gdhendur emri i tij.

Altini: Çudi! S’i kam dëgjuar më parë këto hollësira.

Blerimi: Është kënaqësi të t’i tregoj.

Altini: Të jem i sinqertë, gjithmonë e kam respektuar Biblën si vepër letrare, mirëpo s’kam menduar se ka ndonjë vlerë sot. Mund të jetë e saktë historikisht, por nuk besoj se ka ndonjë dobi praktike.

BIBLA​—LIBËR I LASHTË, POR EDHE I KOHËS

Blerimi: Mjaft veta mendojnë se Bibla nuk ka vlerë. Ndërsa unë besoj të kundërtën, sepse nevojat tona bazë si njerëz nuk kanë ndryshuar që nga fillimi. Për shembull, vazhdimisht na është dashur ushqim, veshje dhe strehim. Historikisht na ka pëlqyer të flasim me njëri-tjetrin dhe të kemi familje të lumtura. A s’është e vërtetë se të gjithë i vlerësojmë këto gjëra?

Altini: Patjetër.

Blerimi: Bibla na ndihmon në fusha të tilla. Mund ta quajmë libër të lashtë, por edhe të kohës.

Altini: Ç’do të thuash me këtë?

Blerimi: Me fjalë të tjera, Bibla përmban parime themelore po aq praktike sot sa ishin kur u shkruan shekuj më parë.

Bibla përmban parime themelore që janë po aq praktike sot sa ishin kur u shkruan shekuj më parë

Altini: Dakord. Për cilat aspekte e ke fjalën?

Blerimi: Parimet biblike na japin drejtim në aspekte të tilla, si pikëpamja e ekuilibruar për paratë, jeta e lumtur familjare ose miqësitë e mira. Bibla është si një hartë për rrugën drejt suksesit. Për shembull, a nuk je dakord se sot është e vështirë të jesh bashkëshort dhe kryefamiljar i mirë?

Altini: Për këtë s’kam ç’të them, ke të drejtë. Kam rreth një vit i martuar dhe s’është gjithnjë e lehtë t’i shohim gjërat njësoj.

Blerimi: Pikërisht. Ama Bibla ka parime të thjeshta që na ndihmojnë. Ja të shohim Efesianëve, kapitulli 5, vargjet 22, 23 dhe 28. Nëse do, mund t’i lexosh ti.

Altini: Po: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit, duke qenë shpëtimtari i këtij trupi.» Kurse vargu 28 thotë: «Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten.»

Blerimi: Shumë mirë. A nuk është e vërtetë se jeta familjare do të përmirësohej nëse të dy bashkëshortët do të përpiqeshin t’i zbatonin këto këshilla të thjeshta?

Altini: Mendoj se po. Por është më e lehtë të thuhet se të bëhet.

Blerimi: Ke të drejtë, askush s’është i përsosur. Në fakt në të njëjtin kapitull ka edhe një varg që na nxit të jemi të arsyeshëm. * Çdo marrëdhënie ka nevojë për ekuilibër e kompromis. Unë dhe gruaja kemi parë se Bibla na ndihmon të gjejmë ekuilibrin e duhur.

Altini: Kjo ka goxha kuptim.

Blerimi: Dëshmitarët e Jehovait kanë një sit me informacione të dobishme për martesën dhe familjen. Nëse ke pak kohë, dua të të tregoj nja dy gjëra nga siti.

Altini: Të lutem! I kam ca minuta.

Blerimi: Bukur! Adresa e sitit është www.mr1310.com/​sq. Kjo është faqja kryesore.

Altini: Paska pamje të lezetshme.

Blerimi: Janë pamje nga vepra jonë e predikimit në gjithë botën. Ja dhe tema që na duhet. Këtu ka një pjesë me titull «Çiftet dhe prindërit». Në këtë pjesë ka disa artikuj të shkurtër që trajtojnë situata të ndryshme. Sheh ndonjë që të intereson?

Altini: Po. «Si t’i zgjidhni problemet në martesë?» Kjo po që do të më hynte në punë!

Blerimi: Ky artikull thekson katër hapa për zgjidhjen e problemeve. Ke qejf ta lexosh këtë paragraf, Altin?

Altini: Ok, e lexoj: «Po të themi se komunikimi është jetë për një martesë, atëherë dashuria e respekti janë zemra dhe mushkëritë e kësaj lidhjeje.» Hmm, më pëlqen si shpjegohet.

Blerimi: Rrofsh që e lexove! Këtu ka një shkrim nga Bibla. Hapet kur klikon në të.

Altini: Ah, po. Efesianëve 5:33 që thotë: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»

Blerimi: E vure re se theksohet dhënia në vend të marrjes?

Altini: S’e kuptoj mirë ku do të dalësh.

Blerimi: Po ja, a nuk është e vërtetë se burrat duan ta ndiejnë që gratë i respektojnë dhe gratë kanë nevojë që burrat t’i sigurojnë shpesh se i duan vërtet?

Altini: Ke të drejtë. Kështu mendoj edhe unë.

Blerimi: Nëse burri gjen shpesh mënyra si t’ia shprehë dashurinë gruas, a nuk do ta ketë më të lehtë gruaja ta respektojë?

Altini: Duket se është me vend kjo që thua.

Blerimi: E pra, sikur të zbatohej qoftë edhe një varg i Biblës, i shkruar më se 2.000 vjet më parë, do të plotësohej nevoja e të dy palëve në martesë. Gjithashtu ka këshilla të dobishme që, po të zbatohen, bëjnë vërtet punë. Ashtu si ilustrimi që lexuam më lart, «zemra dhe mushkëritë» e martesës do të mbeten të shëndetshme.

Altini: Më duhet ta pranoj, Bibla qenka më lart nga ç’mendoja.

Blerimi: Më bëhet qejfi që e thua këtë, Altin. Do të më pëlqente të takoheshim prapë këtu dhe të më thoshe ç’mendim ke për nëntemën «Katër hapa për të zgjidhur problemet» në të njëjtin artikull që pamë në sit. *

Altini: Pse jo. Do ta shoh bashkë me gruan.

A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtarë për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar të Jehovait. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.

^ par. 63 Për më shumë informacion, shih kapitullin 14 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.