TEMA KRYESORE | A SJELL NDONJË TË MIRË LUTJA?
Pse luten njerëzit?
«Isha i fiksuar pas bixhozit. Lutesha që të fitoja shumë para, por kjo nuk ndodhi kurrë.»
—Samueli, * Kenia.
«Në shkollë mjaftonte t’i thoshim përmendsh lutjet që na kishin mësuar.»
—Tereza, Filipine.
«Lutem kur kam probleme. Lutem që të më falen mëkatet dhe të jem një e krishterë më e mirë.»
—Magdalena, Ganë.
Ajo që thonë Samueli, Tereza dhe Magdalena tregon se njerëzit luten për shumë arsye, disa prej të cilave janë më fisnike se të tjerat. Ka nga ata që luten nga zemra dhe të tjerë që nuk i përfshijnë thuajse fare ndjenjat. Pavarësisht nëse luten për të kaluar në provime, për fitoren e skuadrës së preferuar, për drejtimin e Zotit në familje ose për një sërë arsyesh të tjera, e vërteta është se qindra milionë njerëz ndiejnë nevojën për t’u lutur. Në fakt sondazhet tregojnë se edhe disa që nuk janë fetarë luten rregullisht.
Po ti, a lutesh? Nëse po, për çfarë? Qoftë në e ke zakon të lutesh, qoftë jo, mund të pyesësh veten: «A sjell ndonjë të mirë lutja? A e dëgjon kush?» Një shkrimtar shprehu pikëpamjen se lutja është thjesht një formë terapie psikologjike. Diçka të ngjashme mendojnë edhe disa autoritete në fushën e mjekësisë, që e quajnë lutjen një lloj «mjekimi alternativ». A është lutja vetëm një rutinë ose e shumta një formë terapie për qetësi shpirtërore?
Krejt ndryshe, Bibla tregon se lutja është shumë më tepër se një formë terapie. Ajo tregon se dikush i dëgjon vërtet lutjet që bëhen në mënyrën e duhur dhe për gjërat e duhura. A është vërtet kështu? Le të shohim dëshmitë.
^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.