Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

UDHA E LUMTURISË

Dashuria

Dashuria

NJERËZIT KANË DËSHIRË TË ZJARRTË PËR DASHURI. Asnjë martesë, familje ose miqësi nuk mund të lulëzojë pa të. Prandaj është e arsyeshme të themi se dashuria është thelbësore për shëndetin mendor dhe lumturinë. Megjithatë, çfarë është dashuria?

Në këtë kontekst nuk bëhet fjalë për dashurinë romantike që patjetër ka rëndësinë e saj. Përkundrazi, për një formë më të lartë të dashurisë që e shtyn dikë të merakoset sinqerisht për mirëqenien e të tjerëve, madje duke e vendosur para mirëqenies së vet. Kjo dashuri udhëhiqet nga parime hyjnore, por gjithashtu përfshin ngrohtësi dhe ndjenjë.

Një përshkrim i bukur i dashurisë thotë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë . . . shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.»​—1 Korintasve 13:4-8.

Kjo lloj dashurie «nuk shuhet kurrë» në kuptimin që do të ekzistojë përgjithmonë. Në fakt mund të bëhet më e fortë me kalimin e kohës. Dhe, ngaqë është shpirtgjerë ose e durueshme, mirëdashëse dhe falëse, ajo është «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14) Prandaj, marrëdhëniet e bazuara mbi këtë dashuri janë të sigurta e të lumtura, pavarësisht nga papërsosmëritë. Për shembull, të shqyrtojmë lidhjen martesore.

«NJË LIDHJE E PËRSOSUR BASHKIMI»

Jezu Krishti dha parime të rëndësishme për martesën. Për shembull, ai tha: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm. . . . Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:5, 6) Këtu dalin në pah të paktën dy parime të rëndësishme.

«TË DY DO TË JENË NJË MISH I VETËM.» Martesa është lidhja më e ngushtë mes njerëzve dhe dashuria mund ta mbrojë atë nga tradhtia, pra të bëhesh «një trup i vetëm» me dikë që nuk është bashkëshorti. (1 Korintasve 6:16; Hebrenjve 13:4) Jobesnikëria shkatërron besimin dhe mund të prishë martesën. Kur preken edhe fëmijët, ata mund të pësojnë traumë emocionale, mund të ndiejnë se nuk i duan, mund të ndihen të pasigurt ose madje mund të ndiejnë mëri.

«ATË QË PERËNDIA E KA BASHKUAR.» Martesa është edhe një lidhje e shenjtë. Çiftet që e konsiderojnë të tillë, përpiqen me gjithë zemër ta forcojnë martesën. Nuk kërkojnë një mënyrë për t’i dhënë fund asaj kur lindin probleme. Dashuria e tyre është e fortë dhe e qëndrueshme. Kjo lloj dashurie «mban çdo gjë»; i ndihmon të zgjidhin problemet që të ruajnë harmoninë dhe paqen në martesë.

Dashuria vetësakrifikuese mes prindërve u sjell shumë dobi fëmijëve. Një e re me emrin Xhesika, komenton: «Babai dhe mamaja ime e duan dhe e respektojnë me të vërtetë njëri-tjetrin. Kur shikoj mamanë si e respekton babanë, nxitem që ta imitoj.»

Dashuria është cilësia kryesore e Perëndisë. Në fakt, Bibla thotë: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Ndaj nuk habitemi që Jehovai quhet edhe ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Edhe ne do të jemi të lumtur nëse përpiqemi fort të imitojmë cilësitë e Krijuesit tonë, sidomos dashurinë e tij. Tek Efesianëve 5:1, 2 thuhet: «Bëhuni . . . imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri.»