Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

UDHA E LUMTURISË

Shpresa

Shpresa

«Mendoj për paqe, dhe jo për gjëmë, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.»​Jeremia 29:11.

«SHPRESA ËSHTË . . . NJË ELEMENT THELBËSOR PËR BESIMIN TONË,​—thotë libri Hope in the Age of Anxiety.—​Gjithashtu është ilaçi më i mirë kur ndihesh i pafuqishëm, i vetmuar dhe i frikësuar.»

Nevoja për të pasur një shpresë pasqyrohet në faqet e Biblës, e cila na paralajmëron edhe të ruhemi nga shpresat e kota. «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim»,​—thotë Psalmi 146:3. Në vend që të besojmë se shpëtimi ynë vjen nga njeriu, tregohemi të mençur duke i besuar Krijuesit, i cili ka fuqinë t’i përmbushë të gjitha premtimet. Çfarë na ka premtuar? Shqyrto pjesën më poshtë.

LIGËSIA DO TË MARRË FUND; MË PAS TË DREJTËT DO TË GËZOJNË PAQE TË PAFUND: Te Psalmi 37:10, 11 thuhet: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Kurse vargu 29 shton se «të drejtët . . . do të banojnë përgjithmonë» në tokë.

FUNDI I LUFTËRAVE: «[Jehovai] i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»​—Psalmi 46:8, 9.

NUK DO TË KETË MË SËMUNDJE, AS VUAJTJE, AS VDEKJE: «Tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»​—Zbulesa 21:3, 4.

USHQIM ME BOLLËK PËR TË GJITHË: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»​—Psalmi 72:16.

E GJITHË BOTA DO TË KETË NJË QEVERI TË DREJTË​—MBRETËRINË E KRISHTIT: «[Jezu Krishtit] iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët. Sundimi i tij do të zgjatë përgjithmonë dhe nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet.»​—Danieli 7:14.

Si mund të jemi të sigurt se këto premtime do të realizohen? Kur ishte në tokë, Jezui e vërtetoi publikisht se ishte Mbreti i emëruar. Ai shëroi të sëmurët, ushqeu të varfrit dhe ringjalli të vdekurit. Por, më të rëndësishmet ishin mësimet e tij, pasi në to përfshiheshin parime, falë të cilave njerëzit do të jetojnë përgjithmonë në paqe e në unitet me njëri-tjetrin. Përveç kësaj, Jezui paratha disa ngjarje të ardhshme, përfshirë ato që do të shënonin ditët e fundit të botës së sotme.

STUHIA PARA QETËSISË

Jezui paratha se ditët e fundit nuk do të karakterizoheshin nga paqja e siguria, përkundrazi. Shenja «e përfundimit të sistemit» e përbërë nga disa elemente, përfshin luftëra ndërkombëtare, mungesa ushqimi, murtaja dhe tërmete të mëdha. (Mateu 24:3, 7; Luka 21:10, 11; Zbulesa 6:3-8) Gjithashtu, Jezui tha: «Për shkak të rritjes së paligjshmërisë, dashuria e shumicës do të ftohet.»​—Mateu 24:12.

Kjo ftohje e dashurisë është e dukshme në shumë aspekte, siç e paratha në mënyrë specifike një tjetër shkrimtar i Biblës. Te 2 Timoteut 3:1-5 lexojmë se «në ditët e fundit» njerëzit në përgjithësi do të fiksoheshin pas vetes, pas parave dhe pas kënaqësive. Ata do të ishin arrogantë dhe të egër. Në familje do të mungonte përzemërsia e natyrshme dhe fëmijët do të ishin të pabindur ndaj prindërve. Hipokrizia fetare do të ishte diçka normale.

Këto kushte që ngjajnë me një stuhi, konfirmojnë se kjo botë është në ditët e saj të fundit. Gjithashtu, ato konfirmojnë se qetësia që do të sjellë qeverisja e Mbretërisë, është afër. Po, Jezui dha edhe këtë siguri në profecinë për ditët e fundit: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:14.

Ky lajm i mirë përfshin një paralajmërim për keqbërësit dhe shpresë për të drejtët. Gjithashtu i siguron të drejtët se bekimet e premtuara do të bëhen realitet së shpejti. A dëshiron të dish më shumë për këto bekime? Nëse po, të lutemi shih faqen e fundit të kësaj reviste.