Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Ankthi

Ankthi

Ankthi ka dy anë. Është edhe i dëmshëm, edhe dobiprurës. Bibla na ndihmon të dallojmë secilën prej tyre.

A është normale të kesh ankth?

REALITETI:

Kur të kap ankthi, ndihesh i sikletosur, i merakosur ose i shqetësuar. Ngaqë jetojmë në një botë të pasigurt, të gjithë mund të kalojmë momente ankthi.

ÇFARË THOTË BIBLA:

Mbreti David shkroi: «Deri kur do të luftoj me shpirtin tim, dhe deri kur ditët e mia do të jenë plot brenga?» (Psalmi 13:2) Çfarë e ndihmoi Davidin t’i përballonte këto ndjenja? I hapi zemrën Perëndisë në lutje, duke besuar plotësisht te dashuria e tij besnike. (Psalmi 13:5; 62:8) Vërtet, Zoti na fton t’ia hedhim barrën atij. Te 1 Pjetrit 5:7 thuhet: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.»

Kur bëjmë diçka për njerëzit tanë të dashur, jemi më pak në ankth për ta

Por, shpesh mund të bëjmë diçka praktike për ta lehtësuar ankthin. Për shembull, kur Pavlin, një shkrimtar të Biblës, e zuri «ankthi për të gjitha kongregacionet», u përpoq fort t’i ngushëllonte e t’i inkurajonte ata për të cilët shqetësohej. (2 Korintasve 11:28) Në këtë aspekt, ankthi i tij ishte dobiprurës, pasi e nxiti të ndihmonte të tjerët. E njëjta gjë është edhe me ne. E kundërta e kësaj, domethënë indiferenca ose moskokëçarja, tregon se nuk ke merak të dashur.Proverbat 17:17.

‘Shih me interes jo vetëm çështjet e tua, por edhe ato të të tjerëve.’Filipianëve 2:4.

Ç’mund të bësh nëse të pushton ankthi?

REALITETI:

Njerëzit mund të jenë në ankth për gabimet e së shkuarës, për të ardhmen ose për gjendjen financiare. *

ÇFARË THOTË BIBLA:

Shqetësimi për gabimet e së shkuarës: Disa që u bënë të krishterë në shekullin e parë, dikur ishin pijanecë, zhvatës, imoralë dhe hajdutë. (1 Korintasve 6:9-11) Në vend që të fiksoheshin tek e kaluara, ndryshuan dhe treguan besim te mëshira e madhe e Perëndisë, që e shfaq me dëshirë. Psalmi 130:4 thotë: «Ti [Perëndi] fal me të vërtetë.»

Pasiguria për të nesërmen: Jezui tha: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» (Mateu 6:25, 34) Çfarë donte të thoshte me këto fjalë? Përqendrohu vetëm te problemet e sotme. Mos i shumëfisho, duke menduar edhe për problemet e së nesërmes, pasi kjo mund të të mjegullojë gjykimin dhe të të shtyjë të marrësh vendime të nxituara. Mos harro edhe se shumë probleme mund të mos dalin siç i kishe menduar.

Meraku për gjendjen financiare: Njëherë një njeri i mençur kërkoi në lutje: «Mos më jep as varfëri, as pasuri.» (Proverbat 30:8) Por kërkoi të kënaqej me atë që kishte, ndjenjë që meriton miratimin e Zotit. Te Hebrenjve 13:5 lexojmë: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni. Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’» Ndryshe nga paraja që mund të na zhgënjejë, dhe kjo është e vërtetuar, Perëndia nuk i zhgënjen kurrë ata që tregojnë besim tek ai dhe bëjnë jetë të thjeshtë.

«S’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.»Psalmi 37:25.

A do të çlirohemi ndonjëherë nga ankthi?

ÇFARË THONË NJERËZIT:

«Po hyjmë në një epokë të re ankthi»,—shkruante Harieta Grin në vitin 2008 në një artikull të gazetës The Guardian. Në vitin 2014 Patrik O’Konor shkroi në The Wall Street Journal se «amerikanët po thyejnë rekordin e shkallës së ankthit».

ÇFARË THOTË BIBLA:

«Nga ankthi i zemrës njeriu kërruset, kurse fjalët e mira e gëzojnë.» (Proverbat 12:25) Një ‘fjalë [veçanërisht] e mirë’ mund të gjendet në lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Kjo Mbretëri, një qeveri nga Perëndia, së shpejti do të bëjë atë që ne vetë s’do ta bënim dot kurrë: do të zhdukë komplet ankthin duke shkulur me rrënjë shkaqet e tij, përfshirë sëmundjet e vdekjen. «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë [tanë]. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»Zbulesa 21:4.

«Perëndia që jep shpresë, ju mbushtë plot me gëzim e paqe, nëpërmjet besimit tuaj!»Romakëve 15:13.

^ par. 10 Nëse dikush vuan nga çrregullime të rënda të ankthit, është e mençur të bëjë një vizitë mjekësore. Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë terapi ose trajtim të veçantë.