Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A ËSHTË BOTA JASHTË KONTROLLIT?

Në kërkim të përgjigjeve

Në kërkim të përgjigjeve

NËSE moria e lajmeve të këqija të fut në ankth ose të frikëson, nuk je i vetmi. Në vitin 2014, Barak Obama, në atë kohë president i Shteteve të Bashkuara, hodhi idenë se, për shkak të gjithë lajmeve të këqija që raportohen në media, shumë veta nxjerrin përfundimin se «bota po rrokulliset . . . me të shpejtë dhe askush nuk është në gjendje ta mbajë nën kontroll».

Megjithatë, pak pasi bëri këtë deklaratë, ai foli gjithë pasion mbi strategjitë aktuale për të ndrequr shumë nga problemet në botë. Ai i quajti «lajme të mira» disa nisma qeveritare dhe tha se ishte «shpresëplotë» dhe «tejet optimist». Me fjalë të tjera, po thoshte se përpjekjet fisnike të njerëzve janë ato që do ta mbajnë nën kontroll botën dhe që do të shmangin një katastrofë globale.

Shumë veta janë po aq optimistë. Për shembull, disa besojnë te shkenca, e si rrjedhojë parashikojnë progres të shpejtë në teknologji që premtojnë të ndreqin botën. Një ekspert i teknologjisë dixhitale dhe i inovacionit parashikoi tërë siguri se nga viti 2030 «teknologjia jonë do të jetë një mijë herë më e fuqishme dhe nga viti 2045 do të jetë një milion herë më e fuqishme». Ai shtoi: «Po ia dalim mjaft mirë. Ndonëse nuk kemi pasur kurrë probleme kaq të mëdha, mundësia për t’i zgjidhur ato është edhe më e madhe».

Por, tamam-tamam, sa të këqija janë kushtet e botës? A jemi vërtet në prag të një katastrofe të madhe globale? Edhe pse disa shkencëtarë dhe politikanë predikojnë një mesazh shpresëdhënës, shumë veta ndihen ende të pasigurt për të ardhmen. Pse?

ARMË TË SHKATËRRIMIT NË MASË. Pavarësisht se kanë bërë përpjekje të mëdha, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera nuk ia kanë dalë mbanë me çarmatimin bërthamor. Përkundrazi, disa liderë kryeneçë nuk i përfillin fare ligjet për mbajtjen nën kontroll të armëve. Vendet që historikisht kanë pasur armë bërthamore, të frikësuar, po i përmirësojnë me një ritëm marramendës bombat e tyre të vjetruara dhe po krijojnë armë edhe më vdekjeprurëse. Vende që dikur nuk kishin armë të shkatërrimit në masë, sot janë në gjendje të shkatërrojnë një pjesë të mirë të njerëzimit.

Fakti që kombet janë të përgatitura më shumë se kurrë për luftë bërthamore, e bën botën një vend tepër të rrezikshëm, madje edhe në kohë «paqeje». «Për shembull, sistemet autonome të armëve vdekjeprurëse që marrin vendime ‘për të vrarë’ pa ndërhyrjen ose mbikëqyrjen e njeriut, janë tejet të frikshme»,​—paralajmëron Buletini i shkencëtarëve atomikë.

SHËNDETI YNË ËSHTË NË RREZIK. Shkenca është e kufizuar dhe nuk mund të na sigurojë shëndet të mirë. Gjithnjë e më shumë persona po vuajnë nga presioni i lartë i gjakut, mbipesha, ndotja e ajrit dhe abuzimi me drogat​—të gjithë faktorë të mundshëm për sëmundje. Akoma më shumë njerëz po vdesin për shkak të një sërë sëmundjesh jo ngjitëse, si kanceri, çrregullimet kardiovaskulare dhe diabeti. Shumë e më shumë veta kanë mbetur me kufizime fizike për shkak të sëmundjeve të tjera, përfshirë sëmundjet mendore. Gjithashtu, vitet e fundit kanë shpërthyer epidemi të rrezikshme e të paparashikueshme, si virusi Ebola dhe virusi Zika. Përfundimi: njerëzit nuk i kanë fare nën kontroll sëmundjet, dhe fundi i tyre nuk duket në horizont.

NJERËZIT SULMOJNË NATYRËN. Fabrikat vazhdojnë ta ndotin atmosferën e tokës. Miliona veta vdesin çdo vit nga ajri i ndotur.

Individët, komunitetet dhe agjencitë qeveritare vazhdojnë t’i shkarkojnë në oqeane ujërat e zeza, mbetjet spitalore, bujqësore, plastike, si edhe mbeturina të tjera. «Këto mbeturina toksike helmojnë florën dhe faunën detare, si edhe njerëzit të cilët ushqehen me këto produkte deti»,​—shpjegon Encyclopedia of Marine Science.

Gjithashtu, po na mbaron uji i pijshëm. Robin Mekí, autor britanik për shkencën, paralajmëron me të drejtë: «Bota po përballet me një krizë uji që do të prekë çdo pjesë të globit.» Politikanët e pranojnë se mungesa e ujit është kryesisht problem i krijuar nga njeriu dhe se paraqet rrezik të madh.

NATYRA SULMON NJERËZIT. Stuhitë, uraganet, tornadot, tajfunët dhe tërmetet shkaktojnë përmbytje shkatërrimtare, rrëshqitje të stërmëdha toke, si edhe lloje të tjera katastrofash. Këto forca të natyrës po vrasin më shumë njerëz se kurrë më parë ose po i dëmtojnë në mënyra të tjera. Sipas një studimi të botuar nga Enti Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor i SHBA-së (NASA), ka edhe më tepër gjasa për «stuhi më të mëdha, valë të nxehti vdekjeprurëse, si edhe më tepër cikle ekstreme përmbytjesh e thatësirash». A do t’i japë natyra njerëzimit një goditje fatale?

Sigurisht, në mendje mund të të vijnë të tjera kërcënime serioze që i kanosen ekzistencës sonë. Megjithatë, nuk ke për të gjetur përgjigje të kënaqshme për të ardhmen duke analizuar gjithçka të keqe që ndodh sot. Disa mendojnë se këto përgjigje nuk i kanë as politikanët dhe as shkencëtarët. Gjithsesi, siç e përmendëm në artikullin e mëparshëm, shumë veta kanë gjetur përgjigje bindëse për pyetjet rreth kushteve të botës dhe së ardhmes. Ku i gjejmë përgjigje të tilla?