SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Sigurohen ndihma për të prekurit nga katastrofat
1 SHKURT 2021
Viti 2020 pati një sërë katastrofash natyrore, ndër to ishte edhe pandemia mbarëbotërore COVID-19 që nisi që në fillim të vitit. Si i kanë ndihmuar Dëshmitarët e Jehovait ata që u prekën?
Gjatë vitit të shërbimit 2020, a Komiteti i Koordinatorëve i Trupit Udhëheqës miratoi një shumë prej 28 milionë dollarësh b për dhënien e ndihmës. Me këto pará u siguruan ndihma për ata që u prekën nga mbi 200 katastrofa, ku futen pandemia COVID-19, stuhitë e ndryshme tropikale, përmbytjet në Afrikë, mungesa ushqimi në Venezuelë dhe thatësira në Zimbabve. Me fondet e dhuruara u sigurua ushqim, ujë, strehim, veshje dhe ndihmë mjekësore, si edhe gjërat bazë për pastrimin, riparimet dhe rinovimet. Le të shohim disa shembuj.
COVID-19. Anembanë botës, pandemia ka ndikuar te motrat dhe vëllezërit tanë fizikisht, emocionalisht dhe ekonomikisht. Për t’i ndihmuar, në të gjithë botën janë formuar mbi 800 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK). Këto komitete kanë qenë syçelë për të dalluar çfarë nevojash kishin vëllezërit dhe i raportonin menjëherë Komitetit të Koordinatorëve, që këta të ofronin drejtimin më të mirë të mundshëm.
Gjatë këtij viti, KNRK-të kanë ndihmuar mjaft veta që të kishin ushqim, ujë, mjete për pastrimin dhe ilaçet bazë. Madje, në disa zona kanë bashkëpunuar me pleqtë vendës që të ndihmonin vëllezërit të përfitonin nga ndihmat që siguronte shteti.
Punën tonë për dhënien e ndihmës e kanë vënë re edhe ata që s’janë Dëshmitarë. Për shembull, Fild Simuinga, shefi i policisë i krahinës së Nakondes, në Zambie, u tha vëllezërve: «Ju jemi borxhlinj që na siguruat fiks në kohën e duhur gjërat aq të nevojshme për familjet e prekura.»
Mungesa ushqimi në Angolë. Pandemia COVID-19 ndikoi te prodhimet ushqimore në Angolë dhe i çoi çmimet në stratosferë. Shumë vëllezër e motra e patën goxha të vështirë të blinin ushqime.
Degës në Brazil iu kërkua të dërgonte pako ushqimore për vëllezërit në Angolë. Që fondet të përdoreshin sa më mirë të ishte e mundur, vëllezërit bënë kërkime të kujdesshme që të gjenin mënyrën më të përshtatshme për t’i blerë e për t’i transportuar, madje ushqimet i morën me shumicë. Çdo pako kushtoi mesatarisht vetëm 22 dollarë, përfshirë blerjen dhe transportin, ama përmbante gati 20 kilogramë ushqime, si oriz, fasule dhe vaj për gatim. Deri tani janë dërguar 33.544 pako, pra 654 tonë ushqime. Bashkë me ushqimin vendës, këto pako ndihmuan të ushqeheshin mbi 50.000 veta.
Si u ndien vëllezërit tanë për këto ndihma? Aleksandri, që jeton në një zonë të izoluar të Angolës, thotë: «E kam parë këtë si një shenjë se Jehovai më do dhe se nuk jam vetëm. Ndiej se organizata e Jehovait më çmon!» Mariza, një nënë e vetme, thotë: «Jehovai i dëgjoi lutjet e mia. E falënderoj shumë Atë dhe organizatën e tij!»
Thatësira në Zimbabve. Gjatë vitit të shërbimit 2020, në Zimbabve pati një thatësirë të madhe duke bërë që miliona veta të vuanin nga uria ekstreme. Mijëra Dëshmitarë në Zimbabve nuk patën ushqim të mjaftueshëm.
U formuan 5 KNRK që të siguronin ushqim për vëllezërit tanë. Qindra lajmëtarë ndihmuan për paketimin e ushqimit dhe për ta ngarkuar. Gjithashtu ofruan makinat e tyre për transportin. c Gjatë vitit të shërbimit 2020, u përdorën 691.561 dollarë për të siguruar ushqim për më shumë se 22.700 veta.
Në disa raste, vëllezërit sapo kishin mbaruar rezervat e tyre ushqimore kur mbërritën ndihmat. Me të mbërritur pakot ushqimore, vëllezërit falënderonin Jehovain. Madje, disa këndonin këngë Mbretërie.
Në një vend, dy Dëshmitare vejusha ndoqën një mbledhje në komunitet ku u diskutua për ndarjen e ushqimit që do të sigurohej nga një organizatë joqeveritare (OJQ). Megjithatë, mbledhja filloi të merrte ngjyrime politike, kështu që motrat vendosën të mos i pranonin kushtet për të marrë ndihma. Ndërsa largoheshin nga mbledhja, i tallën dhe u thanë: «As mos t’ju shkojë mendja të kërkoni ndonjë vakt nga ne!» Megjithatë, vetëm dy javë më vonë, aty mbërritën vëllezërit që sollën ushqime për motrat, shumë kohë para se të vinin ndihmat nga OJQ-ja!
Falë ndihmave në Zimbabve u dha një dëshmi e mirë në komunitet. Për shembull, të shohim rastin e Priskës, një motër që jeton në një fshat të vogël. Pavarësisht nga vështirësitë që solli thatësira, ajo dilte në shërbim çdo të mërkurë dhe të premte, madje edhe gjatë sezonit kur punohej toka. Banorët e fshatit e vinin në lojë duke i thënë: «Do ta lësh pa bukë familjen ngaqë e ke mendjen te predikimi.» Priska u përgjigjej: «Jehovai nuk i ka braktisur kurrë shërbëtorët e tij.» Pa kaluar shumë, ajo mori ndihma nga organizata. Kjo i la pa fjalë disa nga fqinjët e saj, që i thanë: «Perëndia yt s’të ka braktisur kurrë, prandaj duam ta njohim më shumë.» Tani, shtatë prej tyre po i dëgjojnë mbledhjet e kongregacionit që transmetohen nëpërmjet radios.
Teksa i afrohemi gjithnjë e më afër fundit, do të vazhdojmë të përballemi me katastrofa natyrore. (Mateu 24:3, 7) Jemi shumë mirënjohës për dhurimet tuaja bujare me anë të metodave të ndryshme në donate.mr1310.com! Ato do të përdoren që të sigurojmë ndihma të efektshme në kohën e duhur.
a Viti i shërbimit 2020 filloi në muajin shtator të vitit 2019 dhe mbaroi në gusht të 2020-s.
b Të gjitha shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.
c Për shkak të kufizimeve nga pandemia COVID-19, vëllezërve tanë u është dashur të marrin leje për të shpërndarë ushqime. Njëkohësisht tregonin shumë kujdes që edhe ata vetë të ekspozoheshin sa më pak ndaj virusit.