A ka ende rëndësi e vërteta?
A mendon se është gjithnjë e më e vështirë të dallosh se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo? Duket se njerëzit sot e besojnë diçka duke u bazuar më tepër te ndjenjat dhe bindjet e tyre, sesa tek e vërteta dhe faktet. Për shembull, termi «post e vërteta» i cili u shpik për të përshkruar këtë situatë, ka hyrë shumë në përdorim kohët e fundit. a Ai përshkruan më së miri tërë botën sot, ku mjaft veta besojnë se e vërteta nuk ekziston.
Kjo pikëpamje nuk është diçka e re. Rreth 2.000 vjet më parë, guvernatori romak Ponc Pilati pyeti me cinizëm Jezuin: «Çfarë është e vërteta?» (Gjoni 18:38) Edhe pse Pilati nuk priti përgjigjen e Jezuit, pyetja e tij ishte e rëndësishme. Përgjigjja që i jep Bibla kësaj pyetjeje është mjaft bindëse dhe mund të të ndihmojë të kuptosh çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, në këtë botë plot me post të vërteta.
A ekziston e vërteta?
Po. Bibla e përdor fjalën «e vërtetë» për t’iu referuar diçkaje që mbështetet në fakte dhe që është moralisht e drejtë. Ajo mëson se Perëndia Jehova b është Burimi i së vërtetës absolute dhe e quan «Perëndi i së vërtetës». (Psalmi 31:5) Bibla tregon të vërtetën për Perëndinë dhe e krahason këtë të vërtetë me dritën, sepse ajo mund të na japë drejtim mes kësaj bote ku mbizotëron konfuzioni.—Psalmi 43:3; Gjoni 17:17.
Si mund ta gjesh të vërtetën?
Perëndia nuk dëshiron që ta pranojmë verbërisht të vërtetën e Biblës. Përkundrazi, na fton ta analizojmë duke përdorur fuqinë tonë për të arsyetuar, në vend që të bazohemi tek emocionet. (Romakëve 12:1) Ai dëshiron që ta njohim e ta duam duke përdorur «gjithë mendjen» tonë dhe na nxit të sigurohemi nëse ajo që mësojmë nga Bibla është e vërtetë.—Mateu 22:37, 38; Veprat 17:11.
Nga erdhi gënjeshtra?
Bibla thotë se nismëtari i gënjeshtrës është armiku i Perëndisë, Satana Djalli, të cilin Bibla e quan «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44) Ai u tha njerëzve të parë gënjeshtra për Perëndinë. (Zanafilla 3:1-6, 13, 17-19; 5:5) Që nga ajo kohë, Satanai ka përhapur vazhdimisht gënjeshtra dhe e ka fshehur të vërtetën për Perëndinë.—Zbulesa 12:9.
Pse është bërë kaq e zakonshme gënjeshtra sot?
Në kohën tonë, që Bibla e quan «ditët e fundit», Satanai po ndikon te njerëzit dhe po i mashtron si kurrë më parë. Njerëzit e kanë zakon ta përdorin gënjeshtrën për t’i mashtruar të tjerët e për të përfituar prej tyre. (2 Timoteut 3:1, 13) Gënjeshtrat janë të përhapura edhe në shumicën e feve sot. Tamam siç kishte parathënë Bibla për kohën tonë, njerëzit ‘e rrethojnë veten me mësues që u gudulisin veshët’ dhe zgjedhin ‘të mos e dëgjojnë më të vërtetën’.—2 Timoteut 4:3, 4.
Pse ka rëndësi e vërteta?
E vërteta është baza mbi të cilën ndërtohet besimi mes njerëzve. Pa besim, miqësitë dhe shoqëria do të shembeshin. Bibla thotë se Zoti do që adhurimi ynë të bazohet tek e vërteta. Ajo thotë: «Ata që e adhurojnë [Perëndinë], duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Për të kuptuar si mund të të ndihmojë e vërteta e Biblës që të dallosh gënjeshtrat fetare dhe të çlirohesh prej tyre, lexo serinë e artikujve me temë: «Gënjeshtra që na pengojnë ta duam Perëndinë.»
Pse do Perëndia që unë të di të vërtetën?
Perëndia dëshiron që të shpëtosh dhe, që ta arrish këtë, duhet të mësosh të vërtetën rreth tij. (1 Timoteut 2:4) Nëse mëson normat e Perëndisë për të drejtën e të gabuarën dhe jeton në përputhje me to, do të gëzosh një miqësi të ngushtë me të. (Psalmi 15:1, 2) Perëndia dërgoi Jezuin në tokë që t’i ndihmonte njerëzit të mësonin të vërtetën. Prandaj dëshira e Zotit është që t’ua vëmë veshin mësimeve të Jezuit.—Mateu 17:5; Gjoni 18:37.
A do t’i japë fund Perëndia gënjeshtrës?
Po. Perëndia e urren kur njerëzit përfitojnë nga të tjerët duke i mashtruar. Ai ka premtuar se do t’i shfarosë nga toka ata që nuk heqin dorë nga gënjeshtrat. (Psalmi 5:6) Kur Zoti ta realizojë këtë, do të plotësojë edhe premtimin se «buzët e së vërtetës do të qëndrojnë përgjithmonë».—Proverbat 12:19.
a Fjalorët e Oksfordit e shpallën termin «post e vërteta» (post-truth) si shprehjen e vitit 2016.
b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»