Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të dëgjohet ndonjëherë thirrja për drejtësi?

A do të dëgjohet ndonjëherë thirrja për drejtësi?

 Duket se padrejtësitë kanë depërtuar në çdo skutë të shoqërisë. Shqyrto rastet e disa njerëzve që u burgosën padrejtësisht:

  •   Në janar të vitit 2018, një gjykatëse në Shtetet e Bashkuara urdhëroi lirimin e një burri që kishte kaluar pothuajse 38 vjet në burg. Atë e shpallën të pafajshëm falë provave nga analizat e ADN-së.

  •   Në shtator të 1994-s, tre të rinj në një vend të Afrikës u burgosën ngaqë refuzuan ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Në shtator të 2020-s tashmë kishin kaluar 26 vjet në burg. Ata nuk janë akuzuar kurrë për ndonjë krim dhe nuk janë thirrur ndonjëherë në gjyq.

 Nëse ke vuajtur nga padrejtësitë, ndoshta ndihesh si Jobi, një personazh nga Bibla, që tha këto fjalë: «Vazhdoj të thërras për ndihmë, por s’ka drejtësi.» (Jobi 19:7) Edhe pse drejtësia e vërtetë duket veçse një ëndërr, Bibla premton se do të vijë një kohë kur thirrja për drejtësi do të dëgjohet. Gjithashtu, mençuria e Biblës mund të të ndihmojë që tani të përballosh padrejtësitë.

Pse ka padrejtësi?

 Padrejtësitë vijnë nga ata njerëz që nuk pranojnë drejtimin e Zotit. Bibla tregon se drejtësia e vërtetë buron nga Perëndia. (Isaia 51:4) Në Bibël, fjalët e përkthyera ‘drejtësi’ dhe ‘paanësi’ janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. (Psalmi 33:5) Kur njerëzit bëjnë atë që është e drejtë sipas standardeve të Perëndisë, do t’i trajtojnë të tjerët me paanësi. Në kontrast me këtë, padrejtësitë vijnë për shkak të mëkatit, që do të thotë të hedhësh poshtë standardet e tij të drejta. Shqyrto shkaqet e mëposhtme:

  •   Egoizmi. Dëshirat egoiste dhe mëkati janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. (Jakovi 1:14, 15) Mjaft njerëz që duan t’i plotësojnë se s’bën këto dëshira, përfitojnë nga të tjerët duke i trajtuar padrejtësisht. Kurse Perëndia do që të kërkojmë interesat e të tjerëve në radhë të parë.—1 Korintasve 10:24.

  •   Padija. Disa as që e kuptojnë që i trajtojnë të tjerët padrejtësisht. Gjithsesi, edhe këto veprime Perëndia i sheh si mëkate. (Romakëve 10:3) Në fakt, për shkak të padijes u krye një nga padrejtësitë më të mëdha në histori—ekzekutimi i Jezu Krishtit.—Veprat 3:15, 17.

  •   Sisteme njerëzore të dështuara. Në teori, sistemet politike, ekonomike dhe fetare duhet të nxisin paanësi dhe drejtësi në shoqëri. Por, në realitet, shpesh këto sisteme janë burim i gabimeve, korrupsionit, paragjykimeve, lakmisë, pabarazisë së thellë ekonomike dhe mungesës së tolerancës. Të gjitha këto shkaktojnë padrejtësi. Disa nga këto sisteme reklamohen nga njerëz me qëllime të mira. Gjithsesi, të gjitha përpjekjet e njerëzve që shpërfillin drejtimin e Zotit, kanë të meta të mëdha.—Eklisiastiu 8:9; Jeremia 10:23.

A është indiferent Perëndia ndaj padrejtësive?

 Jo. Ai i urren padrejtësitë dhe sjelljet e veprimet që vijnë si pasojë. (Proverbat 6:16-18) Zoti e frymëzoi profetin Isaia të shkruante: «Unë, Jehovai, a e dua drejtësinë; e urrej grabitjen e padrejtësinë.»—Isaia 61:8.

 Ligji që Perëndia u dha izraelitëve në lashtësi, dëshmonte se donte që populli të tregonte drejtësi. Ai i urdhëroi gjykatësit në atë kohë që të refuzonin ryshfetet dhe të mos kryenin veprime që do ta shtrembëronin drejtësinë. (Ligji i përtërirë 16:18-20) I dënoi izraelitët që nuk iu bindën dhe përfituan nga të varfrit e të përvuajturit, dhe në fund i hodhi poshtë, sepse nuk jetuan sipas standardeve të tij.—Isaia 10:1-3.

A do t’u japë fund Perëndia padrejtësive?

 Po. Me anë të Jezu Krishtit, Perëndia do të zhdukë mëkatin, pra rrënjën e padrejtësive, dhe do t’i rikthejë përsosmërinë njerëzimit. (Gjoni 1:29; Romakëve 6:23) Gjithashtu ka vendosur një Mbretëri që do të sjellë një botë të re dhe të drejtë, e cila do të sigurojë drejtësi për të gjithë. (Isaia 32:1; 2 Pjetrit 3:13) Që të mësosh më tepër për këtë Mbretëri qiellore, shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Si do të jetë jeta në këtë botë të re dhe të drejtë?

 Kur të ketë drejtësi në të gjithë botën, kushdo do të jetojë në paqe dhe siguri. (Isaia 32:16-18) Zoti vlerëson njësoj secilin prej nesh, ndaj të gjithë do të trajtohen me paanshmëri. Trishtimi, vajtimi dhe dhembja që vijnë si pasojë e padrejtësive, nuk do të ekzistojnë më. Madje, edhe kujtimet e dhimbshme nga padrejtësitë do të zhduken me kalimin e kohës. (Isaia 65:17; Zbulesa 21:3, 4) Për më shumë informacion, lexo artikullin «Çfarë do të realizojë Mbretëria e Perëndisë?»

A mund t’i besosh premtimit të Perëndisë për një botë pa padrejtësi?

 Po. Bibla përmban profeci të besueshme që janë plotësuar, fakte historike e shkencore dhe është e harmonishme. Kjo tregon se mund t’u besosh premtimeve të saj. Artikujt vijues kanë hollësi të mëtejshme:

A duhet t’i luftojmë padrejtësitë?

 Njerëz të mirë në kohët e lashta bënë çmos që të mos i lejonin të tjerët t’i trajtonin padrejtësisht. Për shembull, apostulli Pavël rrezikoi t’i bëhej një gjyq i padrejtë dhe për pasojë të dënohej me vdekje. Në vend që thjesht ta pranonte këtë padrejtësi, ai përdori çdo mjet ligjor në dispozicion dhe iu apelua Cezarit.—Veprat 25:8-12.

 Prapëseprapë, përpjekjet e njerëzve për të ndrequr gjithë padrejtësitë në botë me siguri do të dështojnë. (Eklisiastiu 1:15) Gjithsesi, shumë njerëz kanë parë se besimi te premtimi i Perëndisë për një botë të re e të drejtë i ka ndihmuar që të përballojnë dhimbjen dhe të gjejnë paqe të brendshme kur hasin padrejtësi.

a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.