Festë dhe informacion për indianët e Amerikës në qytetin e Nju-Jorkut
Shumë mendojnë se indianët e Amerikës në Shtetet e Bashkuara jetojnë kryesisht në rezervatet e zonave rurale të vendit. Megjithatë, e vërteta është se mbi 70 për qind e atyre me origjinë indigjene jetojnë në zonat urbane. Nga data 5 deri më 7 qershor 2015, në qytetin më të madh të Shteteve të Bashkuara, Nju-Jork, u mbajt powwow a, një festë e indianëve të Amerikës me temë «Një portë drejt kombeve». Me të marrë vesh për këtë eveniment, disa Dëshmitarë të Jehovait në Nju-Jork bënë plane të ishin të pranishëm. Përse?
Dëshmitarët e Jehovait përkthejnë botime biblike në qindra gjuhë, ku futen shumë gjuhë të indianëve të Amerikës, si gjuha e fisit të këmbëzinjve, dakote, hopi, mohoke, navajo, odave dhe kri e fushave. Prandaj, Dëshmitarët vendosën tavolina dhe stenda tërheqëse në evenimentin «Një portë drejt kombeve», ku ekspozuan disa nga këto botime, ndër to edhe fletushkën Mund të keni besim te Krijuesi.
Edhe siti ynë zyrtar përmban regjistrime audio dhe video në shumicën e këtyre e gjuhëve. Gjatë kësaj feste Dëshmitarët u treguan disa prej këtyre regjistrimeve vizitorëve kureshtarë, të cilët vunë re se shumica e stendave, tabelave dhe e prezantimeve të tjera ishin vetëm në anglisht ose spanjisht.
Mjaft nga të pranishmit u mahnitën jo vetëm nga përpjekjet tona për të përkthyer në kaq shumë gjuhë të indianëve të Amerikës, por edhe nga vepra jonë e arsimimit biblik në qytete dhe rezervate të ndryshme. Pasi dëgjoi për veprën tonë, një pjesëtar i stafit të evenimentit kërkoi një studim biblik dhe tha: «Mezi po pres të vini që të mësoj për Biblën.»
Një çift indianësh të Amerikës që nuk dëgjojnë, u afruan te stendat, mirëpo Dëshmitarët nuk mundën të komunikonin me ta. Megjithatë, pikërisht atë moment mbërriti një Dëshmitare që dinte gjuhën e shenjave. Ajo bisedoi me çiftin për rreth 30 minuta dhe i ndihmoi të gjenin kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhën e shenjave pranë zonës së tyre.
Gjatë tri ditëve mbi 50 Dëshmitarë të Jehovait u organizuan për t’u folur vizitorëve për Biblën dhe u dhanë mbi 150 botime atyre që u afruan te stendat.
a Sipas antropologut Uilliam Pauers, powwow «është një ngjarje kulturore që në thelb përbëhet nga një grup burrash, grash dhe fëmijësh që këndojnë e kërcejnë së bashku».—Ethnomusicology, shtator 1968, faqja 354.