Prodhojnë Bibla në gjuhët amtare
Dëshmitarët e Jehovait ia japin Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re kujtdo që dëshiron ta lexojë.
Ndonëse shoqëritë e ndryshme biblike kanë shtypur miliarda Bibla në versione nga më të ndryshmet, varfëria dhe padrejtësia fetare i kanë penguar njerëzit ta kenë Biblën në gjuhën e tyre. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait e ofrojnë Përkthimin Bota e Re në më shumë se 115 gjuhë.
Ja disa shembuj:
Ruandë: Silvestri dhe Venantia, të cilët kanë katër fëmijë, shpjegojnë: «Jemi shumë të varfër, prandaj nuk blejmë dot Bibla për secilin në familje. Por tani të gjithë kemi një Bibël Përkthimi Bota e Re në gjuhën kiniaruande dhe e lexojmë së bashku përditë.»
Një pastor anglikan nga i njëjti vend tha: «Këtë Bibël e kuptoj. Është shumë herë më e mirë se çdo Bibël që kam lexuar. Dëshmitarët e Jehovait interesohen vërtet për njerëzit!»
Republika Demokratike e Kongos: Disa kisha nuk kanë pranuar t’u shesin Bibla Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhën lingale, një nga gjuhët më të folura në vend.
Prandaj s’është për t’u habitur që me daljen e Përkthimit Bota e Re në lingale, Dëshmitarët kongolezë e kanë lexuar e shpërndarë me dëshirë të zjarrtë këtë Bibël. Në fakt, Përkthimi Bota e Re ka ngjallur kaq shumë entuziazëm kur doli në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait, sa policët që ishin atje u vunë në radhë për të marrë një Bibël.
Fixhi: Biblat në gjuhën fixhiane janë kaq të shtrenjta sa, në të kaluarën, Dëshmitarët e Jehovait përdornin Përkthimin Bota e Re në anglisht. Por, në vitin 2009, fixhianët morën Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re (Dhiata e Re) në gjuhën e tyre.
Një burri i bëri kaq përshtypje qartësia e Përkthimit Bota e Re në gjuhën fixhiane, saqë kërkoi një për vete. Por Dëshmitarët vendës i thanë se i duhej të priste të paktën një muaj para se dërgesa e radhës me Bibla të mbërrinte në qytetin e tij. I paduruar, burri pranoi të takonte një Dëshmitar tjetër më se 35 kilometra larg, i cili kishte një Bibël Përkthimi Bota e Re për të. Burri tha: «Ky përkthim është shumë më i mirë se ai që përdorim zakonisht. Është i qartë dhe kuptohet kollaj.»
Malavi: Pasi Davidi nisi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait, disa anëtarë të një organizate baptiste vendëse i shkuan në shtëpi dhe ia morën prapë Biblën që i kishin dhënë. Prandaj, dalja e botimit Përkthimi Bota e Re në gjuhën çikeve ishte një ëndërr që u bë realitet për Davidin.
Meqë Biblat janë kaq të shtrenjta në Malavi, Davidi vriste mendjen si të kishte një tjetër. Por, kur i dhanë Përkthimin Bota e Re, ai tha: «Tani kam një Bibël më të mirë se ajo që kisha!»
Më shumë se 60 vjet më parë, kur në një kongres në Nju-Jork doli në anglisht pjesa e parë e Përkthimit Bota e Re, auditori mori nxitjen: «Lexojeni nga fillimi në fund... Studiojeni... Ua shpërndani të tjerëve.» Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar mbi 175 milionë kopje të Përkthimit Bota e Re. Gjithashtu, tani mund ta lexoni Biblën online në më tepër se 50 gjuhë.