Kalo te përmbajtja

Ndihmojnë lexuesit me anë të figurave

Ndihmojnë lexuesit me anë të figurave

Mjaft botime të Dëshmitarëve të Jehovait kanë figura plot ngjyra që pasurojnë tekstin. Megjithatë nuk ka qenë gjithnjë kështu. Numri i parë i Kullës së Rojës së Sionit, botuar në vitin 1879, nuk kishte fare figura. Për dekada me radhë, botimet tona kishin vetëm tekstin e shkruar dhe tek-tuk ndonjë fotografi bardhë e zi.

Sot shumë botime janë plot me figura. Pjesën më të madhe të figurave e të fotografive në botime e në sit i bëjnë artistët dhe fotografët tanë. Figurat që përmbajnë mësime historike dhe të vërteta biblike të rëndësishme, bëhen falë studimit të kujdesshëm e të thellë.

Le të marrim si shembull figurën e treguar në këtë artikull, e cila në fillim doli te kapitulli 19 i librit ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë. Ngjarja zhvillohet në Korintin e lashtë. Siç përshkruhet në kapitullin 18 të librit biblik të Veprave, apostulli Pavël ndodhet përpara bemës, fronit të gjykimit. Falë të dhënave për gjetjet arkeologjike të studiuesve, artisti arriti të përcaktonte ngjyrën dhe pozicionin e strukturës ku Pavli mund të ketë dalë para Galionit. Gjithashtu, nga të dhënat e studiuesve për veshjet romake të shekullit të parë, prokonsulli Galion, që ndodhet në qendër të figurës, mund të pikturohej me veshjen perandorake. Ai ka veshur një tunikë dhe një toga (petk) me një shirit vjollcë, si dhe këpucë të quajtura calcei. Studiuesit kuptuan se, kur dilte në bema, me sa duket Galioni kthehej nga veriperëndimi. Kështu artisti krijoi njëfarë ideje të dritës në këtë skenë.

Të organizuara në mënyrë praktike

Figurat i koleksionojmë që të dokumentojmë kërkimet dhe që t’i përdorim herë pas here në të ardhmen. Për shumë vjet, i arkivuam pikturat në zarfe të mëdha sipas botimeve ku kishin dalë. Fotografitë arkivoheshin sipas temave. Ndërsa këta arkiva shtoheshin, u bë gjithnjë e më e vështirë gjetja dhe përdorimi i një figure të caktuar.

Në vitin 1991, përfunduam një sistem kërkimi me të dhëna që plotëson nevojat tona të veçanta. Ai që sot quhet Sistemi i Shërbimit të Figurave tani përmban mbi 440.000 figura. Përveç atyre që kanë dalë në botimet tona, mijëra fotografi të tjera janë grupuar që të përdoren në botimet e ardhshme.

Janë regjistruar dhjetëra hollësi, përfshirë kur dhe ku është përdorur secila figurë, emrat e individëve që dalin në fotografi dhe periudha e përshkruar në to. Aftësia për të gjetur shpejt figurat e përshtatshme është e dobishme kur përgatiten botimet e reja.

Ndonjëherë licensën për të përdorur figura të veçanta e blejmë nga burime të ndryshme. Për shembull, mbase na duhet një figurë me unazat e Saturnit për një artikull të Zgjohunit! Stafi i caktuar gjen figurën e përshtatshme dhe lidhet me autorin që të marrë leje për ta përdorur. Nga mirënjohja për veprën tonë mbarëbotërore të arsimimit biblik, disa japin leje menjëherë. Të tjerë kërkojnë një çmim ose që të tregohet nga është marrë figura. Sapo arrihet një marrëveshje, figura përdoret në botim dhe ruhet në katalogët tanë elektronikë.

Sot disa nga botimet tona kanë shumë figura. Për shembull, në këtë sit kemi Tregime Biblike me Vizatime; këtu e në botimet e shtypura kemi broshura ngjyra-ngjyra si, Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë, të cilat përmbajnë mësime të rëndësishme me pak fjalë. Këto dhe botimet e tjera të shtypura e në sit nxjerrin në pah Biblën.