Predikojnë lajmin e mirë në gjuhët amtare të Irlandës dhe të Britanisë
Dëshmitarët e Jehovait po bëjnë përpjekje të veçanta për të kontaktuar njerëzit që flasin gjuhët amtare të Irlandës dhe të Britanisë. a Përveç anglishtes, përfshihen gjuhët irlandeze, galike skoceze dhe uellsiane.
Në shtator të vitit 2012 vumë në dispozicion sitin e rimodeluar jw.org në shumë gjuhë, përfshirë gjuhët irlandeze dhe uellsiane, si edhe galike skoceze që u bë e disponueshme në gusht 2014. Përveç kësaj, në këto gjuhë shtypim literaturë biblike të larmishme. Si kanë reaguar njerëzit ndaj këtyre përpjekjeve?
Një klerik i kishës pranoi një fletushkë biblike në gjuhën galike skoceze, e lexoi menjëherë me zë dhe nisi të qante. Pse u prek kaq shumë? U mahnit nga niveli i lartë i përkthimit, dhe tha: «Kush e ka përkthyer këtë? Është tepër cilësore!»
Rreth 750 veta e vizituan sitin jw.org në gjuhën galike skoceze muajin e parë që u vu në dispozicion.
Një lektor në Universitetin Kombëtar të Irlandës, në Goluej, i tha një Dëshmitari se nuk i interesonte feja. Por, kur mësoi se mund ta merrte broshurën Bibla: Cili është mesazhi i saj? në gjuhën irlandeze, kërkoi një për vete. Ai tha se të gjithë duhet të kenë në dispozicion literaturë biblike në gjuhën amtare, dhe i lavdëroi Dëshmitarët e Jehovait për punën që kanë bërë që irlandezët të kenë literaturë në gjuhën e tyre.
Një grua e moshuar u ngazëllye kur mori një broshurë biblike në gjuhën uellsiane, dhe tha: «Sinqerisht, po të ma kishit dhënë në anglisht, vështirë se do ta kisha pranuar, por është kaq bukur ta kem në gjuhën time.»
Në gusht të 2014-s nisëm të publikonim më shumë materiale të gjuhës uellsiane në jw.org. Gjatë atij muaji, numri i njerëzve që vizituan sitin për të lexuar materiale në gjuhën uellsiane, u rrit ndjeshëm, më tepër se dyfish.
«Flasim të njëjtën gjuhë»
Pasi Jezui ua shtjelloi Shkrimet dy dishepujve të tij, ata thanë plot emocion: «A nuk na digjej zemra kur ai na fliste rrugës dhe na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!» (Luka 24:32) Shpesh, të vërtetat biblike ndikojnë tej mase në jetën e njerëzve kur u shpjegohen qartë në gjuhën e tyre.
Emiri, një burrë nga Uellsi, edhe pse i martuar me një Dëshmitare të Jehovait, nuk e kishte ndjekur kurrë adhurimin e së shoqes. Më vonë, ai u miqësua me një Dëshmitar që quhej Rasëll. Emiri përshkruan pse ndryshoi qëndrim: «Vendosa ta studioja seriozisht Biblën kur Rasëlli erdhi tek unë me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? b Ma dha librin dhe më tha: ‘Ky libër është në gjuhën uellsiane. Dhe, do ta studiojmë bashkë, duke filluar që tani.’» Pse e tërhoqi Emirin kjo metodë e drejtpërdrejtë e Rasëllit? Ai shpjegon: «Po ja, ne flasim të njëjtën gjuhë, kemi të njëjtën kulturë dhe e kuptojmë njëri-tjetrin.» Emirit ‘i digjej’ zemra kur studionin Biblën në gjuhën amtare uellsiane, sepse e kuptonte qartë shpjegimin.
Dëshmitarët e Jehovait do të vazhdojnë t’i ndihmojnë të tjerët të mësojnë për Perëndinë në gjuhën e tyre amtare, në gjuhën që të prek zemrën.