Kalo te përmbajtja

5 NËNTOR 2013
ARMENI

Armenia ofron shërbimin civil alternativ

Armenia ofron shërbimin civil alternativ

Qeveria e Armenisë duket se më në fund njohu të drejtat e atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Më 23 tetor 2013, nga më se 90 Dëshmitarët e Jehovait që kishin bërë kërkesë për shërbim civil alternativ, Komisioni Republikan i Armenisë dëgjoi dhe miratoi 57 prej tyre (Komisioni do të shqyrtojë edhe kërkesat që kanë mbetur). Ndër ta ishin edhe 6 nga 20 të burgosurit Dëshmitarë që kishin bërë kërkesë për këtë shërbim. Këta gjashtë të burgosur u liruan më 24 tetor 2013. Ky Komision do të marrë në shqyrtim kërkesat e Dëshmitarëve të tjerë të burgosur që kanë zgjedhur shërbimin alternativ dhe pritet të lirojë ata që përzgjedhin këtë program.

Një program i ri

Këto zhvillime filluan më 8 qershor 2013 kur Armenia shtoi amendamente në ligjin e saj për shërbimin alternativ në përputhje me standardet evropiane, të cilat hynë në fuqi më 25 korrik 2013. Presidenti i Armenisë e përmendi këtë ligj të përmirësuar kohët e fundit para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2 tetor 2013 duke thënë: «Ata që nuk duan të bëjnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, nuk do të ndiqen penalisht sipas procedurës sonë.» Më 3 tetor 2013, Armenia nxori një ligj amnistie që ua ulte dënimin 6 muaj atyre që refuzonin për shkak të ndërgjegjes. Sipas kësaj amnistie, tetë Dëshmitarë që kishin akoma për të bërë më pak se gjashtë muaj burg, u liruan më 8 dhe 9 tetor 2013.

Programi i ri për shërbimin civil alternativ u jep mundësi atyre që refuzojnë, të kontribuojnë për vendin në një mënyrë të pranueshme për ndërgjegjen e tyre të stërvitur nga Bibla. Tani kjo çështje nuk është më nën kontrollin e Forcave të Armatosura të Armenisë, por nën mbikëqyrjen civile. Shërbimi civil zgjat 36 muaj dhe kërkon 48 orë punë në javë me 10 ditë pushim në vit. Ata që kërkojnë këtë shërbim, do të caktohen afër shtëpisë së tyre dhe do të bëjnë punë që nuk kanë lidhje me ushtrinë.

Hapat drejt amendamenteve

Kur Armenia u bë anëtare e Këshillit të Evropës më 2001, ajo mori përsipër detyrimin si të gjitha vendet e reja anëtare që të nxirrte një ligj për shërbimin alternativ dhe të lironte nga burgu të gjithë ata që refuzonin për shkak të ndërgjegjes. Pavarësisht nga ky zotim, Armenia vazhdoi t’i ndiqte penalisht dhe t’i burgoste të rinjtë Dëshmitarë.

Gjatë 20 viteve të fundit, më tepër se 450 Dëshmitarë të Jehovait kanë vuajtur dënime të gjata me burg, shpesh të keqtrajtuar e në kushte mjaft të vështira.

Për ta ndriti një rreze shprese kur ligji i Republikës së Armenisë për shërbimin alternativ hyri në fuqi më 1 korrik 2004. Por, sapo filloi të zbatohej, u bë e qartë se programi i shërbimit alternativ ishte nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e ushtrisë dhe kishte natyrë ndëshkuese. Këshilli i Evropës nxori në pah në mënyrë të vazhdueshme se programi i shërbimit alternativ nuk ishte në përputhje me standardet evropiane. Për shembull, në rezolutën 1532 (2007), Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u shpreh se ishte «tepër e shqetësuar që, për mungesë të një shërbimi vërtet civil, dhjetëra nga ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes, ndër të cilët shumë Dëshmitarë të Jehovait, vazhdojnë të burgosen. Kjo sepse zgjedhin më mirë burgun sesa një shërbim alternativ që nuk ka vërtet natyrë civile».

Gjithashtu, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut u shpreh se ishte i shqetësuar që Armenia vazhdonte të burgoste Dëshmitarë që refuzonin për shkak të ndërgjegjes. Në komentet përfundimtare të sesionit të 105-të (2012), Komiteti tha:

«Pala shtetërore duhet të vendosë një alternativë të vërtetë për shërbimin ushtarak, që nuk ka aspak natyrë ushtarake, të pranueshme për të gjithë ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes dhe jo ndëshkuese e diskriminuese për nga natyra, kostoja ose kohëzgjatja. Pala shtetërore duhet edhe të lirojë nga burgu të gjithë ata që, për shkak të ndërgjegjes, nuk pranojnë shërbimin ushtarak ose alternativën ekzistuese për shërbimin ushtarak.»

Ndërhyrja e GJEDNJ-së

Ngaqë nuk gjetën zgjidhje në gjykatat armene, Vahan Bayatyan dhe dy të rinj të tjerë Dëshmitarë të dënuar, ngritën padi kundër Armenisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Çështja e z. Bayatyan ishte pikë kthese kur më 7 korrik 2011 Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së vendosi me shumicë votash në favor të tij. Për herë të parë në historinë e saj, GJEDNJ-ja vendosi se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Pas këtij vendimi të favorshëm të Dhomës së Madhe, GJEDNJ-ja mori katër vendime të tjera që po ashtu mbronin të drejtat e atyre që refuzonin për shkak të ndërgjegjes. *

Disa prej atyre që kohët e fundit kanë fituar në GJEDNJ të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes: Hayk Bukharatyan dhe Ashot Tsaturyan.

Duke shpërfillur vendimin e Dhomës së Madhe në çështjen Bayatyan kundër Armenisë, qeveria armene ndoqi penalisht dhe dënoi 29 të rinj Dëshmitarë që refuzonin për shkak të ndërgjegjes; nga këta, 23 i burgosi. Nga korriku i vitit 2011 e deri në tetor të vitit 2013, 86 veta kaluan gjithsej mbi 168 vjet në burgjet armene. Disa prej këtyre të rinjve kanë sfiduar burgimin e paligjshëm duke i parashtruar kërkesa të tjera GJEDNJ-së.

Çështje ende të pazgjidhura

Ata që e kanë mbaruar dënimin me burg dhe ata që u liruan në tetor 2013 shpresojnë që dosja e tyre kriminale të pastrohet në përputhje me ndryshimet e kohëve të fundit në kodin penal të Armenisë. Një çështje tjetër e pazgjidhur është nëse do t’u jepet dëmshpërblim atyre që janë dënuar dhe burgosur pas vendimit Bayatyan.

Zbatimi i plotë dhe efektet e amendamenteve për shërbimin alternativ mbeten për t’u parë. Megjithatë, duket se Armenia tashmë ka bërë përpjekje të mëdha për të njohur të drejtën e atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

Udha e gjatë drejt një programi të pranueshëm për shërbimin civil

Viti

Ngjarja

2001

Armenia bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe i kërkohet të nxjerrë një ligj të pranueshëm për shërbimin alternativ

2004

Del ligji për shërbimin alternativ, por programi për shërbimin alternativ është nën kontrollin e ushtrisë dhe si pasojë, i papranueshëm për Dëshmitarët e Jehovait

2006

Në amendamentet e ligjit për shërbimin alternativ shtohen masa ndëshkuese, por nuk sigurohet një shërbim vërtet civil i pranueshëm për Dëshmitarët e Jehovait

2011

Në vendimin që mori për çështjen Bayatyan kundër Armenisë me 16 vota pro dhe 1 kundër, Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së u shpreh se ishte shkelur e drejta e lirisë së ndërgjegjes, duke mbrojtur kështu të drejtat e atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes

2012

Gjykata Evropiane shpalli dy vendime kundër Armenisë në çështjet e atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes: Bukharatyan kundër Armenisë dhe Tsaturyan kundër Armenisë

2013

Më 8 qershor shtohen amendamente në ligj dhe më 25 korrik hyjnë në fuqi, amendamente këto që mund të sigurojnë një shërbim vërtet civil

Më 8 dhe 9 tetor, Armenia liron tetë të burgosur që kishin refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes

Më 23 tetor, Komisioni Republikan i Armenisë miraton kërkesat për shërbim civil alternativ të 57 Dëshmitarëve të Jehovait, përfshirë 6 nga 20 Dëshmitarët që kanë ngelur ende në burg

Më 24 tetor, Armenia liron gjashtë Dëshmitarë nga burgu në Erebuni

^ par. 12 Shih Erçep kundër Turqisë, nr. 43965/04, 22 nëntor 2011; Bukharatyan kundër Armenisë, nr. 37819/03, 10 janar 2012; Tsaturyan kundër Armenisë, nr. 37821/03, 10 janar 2012; Feti Demirtaş kundër Turqisë, nr. 5260/07, 17 janar 2012.