24 SHTATOR 2014
ERITRE
Njëzet vjet të burgosur në Eritre—Edhe për sa kohë?
Njëzet vjet më parë, autoritetet e Eritresë arrestuan tre djem dhe i burgosën në kushte mjaft të vështira në Sawa, ku i mbajnë edhe sot e kësaj dite. Nuk është ngritur asnjë akuzë kundër tyre dhe nuk u është dhënë kurrë mundësia të dalin para gjyqit.
Paulos Ijasu, Negede Teklemarijami dhe Isak Mogosi janë Dëshmitarë të Jehovait dhe i kanë burgosur për shkak të bindjeve të forta fetare. Tani janë përkatësisht 41, 40 dhe 38 vjeç, pra rininë e kanë kaluar në burg. U është mohuar mundësia për t’u martuar, për të pasur fëmijë, për t’u kujdesur për prindërit e moshuar ose për ta jetuar jetën siç duan. Gjithashtu, u është mohuar edhe mundësia të adhurojnë Perëndinë me bashkëbesimtarët.
Pas arrestimit më 17 shtator 1994, autoritetet e burgut në Sawa i keqtrajtuan, madje i torturuan. Por vitet e fundit nuk i kanë keqtrajtuar më, dhe kanë fituar respektin e gardianëve falë vendosmërisë për t’u qëndruar besnikë bindjeve të tyre fetare.
Dëshmitarë të tjerë të burgosur në kushte çnjerëzore
Eritreja është vendi ku Dëshmitarët e Jehovait përndiqen më shumë se në çdo vend tjetër. Në kohën që po shkruhej ky artikull, në burg kishte 73 Dëshmitarë, ndër ta gra, fëmijë e të moshuar. Mjaft prej tyre kanë vuajtur në kushtet e ashpra të shkretëtirës, të kequshqyer, pa ujë të mjaftueshëm dhe të keqtrajtuar nga autoritetet e burgut. Tre burra të tjerë Dëshmitarë kanë më tepër se dhjetë vjet në burg në Sawa, por Paulos, Negede dhe Isaku kanë qenë në burg më gjatë se çdo Dëshmitar tjetër në Eritre.
Komuniteti ndërkombëtar i bën thirrje Eritresë që t’i japë fund përndjekjes fetare
Komuniteti ndërkombëtar është në dijeni të plotë për keqtrajtimin e Dëshmitarëve të Jehovait dhe të minoriteteve të tjera fetare në Eritre.
Që nga 2004-a, çdo vit, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka cilësuar Eritrenë si «vend veçanërisht shqetësues», shprehje që përdoret për t’iu referuar «çdo vendi, qeveria e të cilit bën ose toleron shkelje të rënda të lirisë fetare që janë sistematike, të vazhdueshme dhe flagrante».
Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësimin e thellë për «shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nga autoritetet e Eritresë ndaj popullit të vet dhe bashkëqytetarëve». Ai i bën thirrje qeverisë së Eritresë «të respektojë të drejtën e të gjithëve për lirinë . . . e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë ose besimit».
Raporti vjetor i vitit 2014 i Komisionit të SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare, thotë: «Situata e lirisë fetare është veçanërisht e rëndë për . . . Dëshmitarët e Jehovait.»
Në raportin vjetor të vitit 2013, Human Rights Watch konstatonte se qeveria e Eritresë vazhdon të arrestojë, të burgosë dhe të torturojë anëtarët e feve që «nuk janë të njohura» ligjërisht dhe se «Dëshmitarët e Jehovait janë veçanërisht të përndjekur».
Në dhjetor të vitit 2005, Komisioni Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve adoptoi Rezolutën për situatën e të drejtave të njeriut në Eritre që i bënte thirrje Eritresë «të garantonte në çdo kohë të drejtën e një gjyqi të paanshëm, lirinë e mendimit e të fjalës, si dhe të grumbullimeve paqësore».
Philip Brumley, përgjegjësi i çështjeve ligjore i Dëshmitarëve të Jehovait, foli në emër të Dëshmitarëve në mbarë botën: «Shpresojmë me gjithë zemër që qeveria e Eritresë t’i lirojë të burgosurit Dëshmitarë, përfshirë edhe këta tre burra që mbahen në burg prej 20 vjetësh, dhe t’i japë fund përndjekjes së bashkëbesimtarëve tanë.»