Kalo te përmbajtja

Qendra Dokumentuese e Munihut për Historinë e Nacional-Socializmit (që ndodhet djathtas) kohët e fundit hapi një ekspozitë të veçantë, e cila shpjegoi persekutimin që hoqën Dëshmitarët e Jehovait në periudhën naziste. Ajo është ndërtuar në të njëjtin vend ku ndodhej selia e partisë naziste

18 SHKURT 2019
GJERMANI

Ekspozita në Munih hedh dritë mbi përndjekjen naziste ndaj Dëshmitarëve të Jehovait

Ekspozita në Munih hedh dritë mbi përndjekjen naziste ndaj Dëshmitarëve të Jehovait

Ekspozita e Qendrës Dokumentuese të Munihut për Historinë e Nacional-Socializmit paraqiti 60 panele me dokumente e foto në radhë kronologjike, të cilat flisnin për përndjekjen naziste ndaj Dëshmitarëve të Jehovait

Nga 26 shtatori i 2018-s deri më 6 janar të 2019-s, Qendra Dokumentuese e Munihut për Historinë e Nacional-Socializmit hapi një ekspozitë speciale, e cila shpjegoi persekutimin që hoqën Dëshmitarët e Jehovait prej nazistëve. Kjo qendër ndodhet në të njëjtin vend ku ishte selia e Partisë Naziste.

Gjatë ceremonisë, në fjalimin e tij hapës, dr Hanz-Georg Kypers, një nga zyrtarët e qytetit të Munihut, shpjegoi arsyen pse u hap ekspozita: «Kjo ekspozitë është me rëndësi, sepse për një kohë të gjatë njerëzit kanë menduar se Dëshmitarët e Jehovait nuk janë persekutuar nga regjimi nazist. . . . Qëllimi i saj është që publiku i gjerë të mësojë të vërtetën rreth Dëshmitarëve që ishin viktima të atij regjimi.»

Tregimi historik i përndjekjeve që vëllezërit dhe motrat në Munih kaluan gjatë regjimit nazist, u ekspozua në 60 panele me dokumentime të guximit, besnikërisë dhe mbijetesës. Në një nga panelet, tregohej historia e Martin dhe Gertrud Pucingerit, të cilët u arrestuan dhe u çuan në kampe të ndryshme përqendrimi vetëm pak muaj pas martesës. Ata nuk e panë njëri-tjetrin për 9 vjet. Por të dy mbijetuan, dhe më vonë vëlla Pucingeri shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait.

Tereza Kyneri u ekzekutua nga nazistët më 6 tetor të 1944-s

Një panel tjetër paraqiste përvojën e Tereza Kynerit që u bë Dëshmitare e Jehovait në 1929-n (atëherë njiheshin si Studentët Ndërkombëtarë të Biblës). Kur Gjermania i ndaloi Dëshmitarët, në shtëpinë e saj mbaheshin mbledhje fetare sekrete dhe ajo shtypte fshehurazi botime me anë të një shaptilografi të lëvizshëm. Pasi nazistët e zbuluan, e arrestuan dhe e akuzuan «për botim dhe shpërndarje të literaturës antiqeveritare dhe për demoralizim të ushtrisë». Besnikëria e motër Kynerit nuk u dobësua kurrë, edhe përballë vdekjes. Ajo u ekzekutua më 6 tetor 1944.

Panele të tjera theksonin qëndrimin asnjanës të vëllezërve, të cilët refuzonin të bënin përshëndetjen hitleriane, veprim që i bëri shënjestër të veçantë të urrejtjes ekstreme të regjimit nazist.

Më 1934, Hitleri u betua se do t’i asgjësonte Dëshmitarët e Jehovait duke deklaruar: «Këtë farë të keqe kemi për ta shfarosur nga Gjermania!» Dëshmitarët duruan përndjekje mizore ndërkohë që Hitleri përpiqej të vinte në zbatim planin e tij të lig. Ai dhe regjimi i tij nuk ekzistojnë më, por në Gjermani ka 165 mijë Dëshmitarë. I jemi mirënjohës Jehovait sepse, kur kalojmë vështirësi, na jep shpresën që «nuk çon në zhgënjim».—Romakëve 5:3-5.