Kalo te përmbajtja

11 SHTATOR 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE

Prezantohen 7 përkthime të Biblës në gusht të 2024-s

Prezantohen 7 përkthime të Biblës në gusht të 2024-s

Ibinde

Më 2 gusht 2024, vëlla Karlos Hortelao, anëtar i Komitetit të Degës në Angolë, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re dhe librin e Zanafillës, të Ruthës, Esterës dhe të Jonait në gjuhën ibinde. Ky lajm u njoftua ditën e parë të kongresit rajonal me temë «Shpall lajmin e mirë!», që u mbajt në Kabindë të Angolës. Gjithsej programin e ndoqën 953 veta. Ata që ishin fizikisht të pranishëm morën nga një kopje të shtypur të Shkrimeve të Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Si Shkrimet e Krishtere Greke, edhe librat e Shkrimeve Hebraike u vunë menjëherë në dispozicion në formatin dixhital në jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Në Angolë ka më shumë se 716.000 njerëz që flasin ibinde. Kjo është Bibla e parë që botohet ndonjëherë në këtë gjuhë. Të 335 motrat e vëllezërit e Angolës që shërbejnë në 13 kongregacione të gjuhës ibinde, janë super të lumtur që e kanë Fjalën e Perëndisë në gjuhën e tyre.

Zimbabviane e shenjave

Më 9 gusht 2024, vëlla Enërxhi Matanda, anëtar i Komitetit të Degës në Zimbabve, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën zimbabviane të shenjave gjatë kongresit rajonal «Shpall lajmin e mirë!», që u mbajt në Harare, Zimbabve. Gjithsej programin e ndoqën 405 veta. Botimi u vu menjëherë në dispozicion në formatin dixhital në jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language.

Në viti 2021, në zimbabviane të shenjave doli libri i Mateut. Që atëherë, gradualisht janë vënë në dispozicion edhe libra të tjerë të Shkrimeve të Krishtere Greke. Llogaritet se thuajse 1 milion njerëz flasin gjuhën zimbabviave të shenjave, përfshirë këtu 377 motrat e vëllezërit që shërbejnë në 11 kongregacione e 11 grupe të kësaj gjuhe.

Bullgare

Më 11 gusht 2024, vëlla Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës, njoftoi se në gjuhën bullgare po përkthehet botimi i rishikuar i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, si dhe prezantoi librin e Mateut, të Markut dhe të Lukës gjatë kongresit rajonal «Shpall lajmin e mirë!», që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë. Të pranishëm ishin gjithsej 5.418 veta. Të tre librat e Biblës u vunë menjëherë në dispozicion në formatin dixhital në jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re u prezantua për herë të parë në gjuhën bullgare në vitin 2009. Sot, në Bullgari, rreth 3.000 vëllezër e motra shërbejnë në 57 kongregacione.

Aja

Më 16 gusht 2024, vëlla Bois Silvejn, anëtar i Komitetit të Degës në Afrikën Perëndimore, prezantoi librin e Mateut dhe të Markut në gjuhën aja, në kongresin rajonal «Shpall lajmin e mirë!», në Xhakotome, Benin. Gjatë prezantimit, 631 ishin të pranishëm fizikisht dhe 435 të tjerë u lidhën nëpërmjet videokonferencës nga një Sallë Asamblesh në Abome-Kalavi, Benin. Të 2 librat u vunë menjëherë në dispozicion në formatin dixhital në jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Mbi 1,2 milionë njerëz flasin gjuhën aja në Benin dhe në Togo. Në këtë gjuhë tashmë ekzistojnë 2 versione të tjera të Shkrimeve të Krishtere Greke, por mezi gjenden dhe përdorin një gjuhë të vështirë për t’u kuptuar nga shumica e lexuesve. Gjithashtu të dyja përkthimet e kanë hequr emrin e Perëndisë Jehova. Sot, afro 1.300 vëllezër e motra shërbejnë në 25 kongregacione dhe në 1 grup të gjuhës aja në Benin, si dhe në 12 kongregacione e në 2 grupe në Togo. Të gjithë janë të entuziazmuar që kanë një përkthim me gjuhë të qartë dhe me emrin e Perëndisë aty ku duhet.

Kiniaruande

Më 16 gusht 2024, vëlla Xhefri Uinder, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kiniaruande. Vëlla Uinder e prezantoi Biblën ditën e parë të kongresit rajonal «Shpall lajmin e mirë!», në Kigali, Ruandë. Fizikisht ishin të pranishëm 9.908 veta dhe 1.141 të tjerë u lidhën nëpërmjet videokonferencës nga 2 vende të tjera ku po mbahej kongresi. Të gjithë të pranishmit në vendet ku u zhvillua kongresi, morën kopje të shtypura të Biblës. Regjistrimet audio dhe formati dixhital i Përkthimit Bota e Re të rishikuar në kiniaruande, u vunë menjëherë në dispozicion në jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Më shumë se 13 milionë njerëz që flasin kiniaruande jetojnë në Ruandë. Kjo gjuhë flitet edhe në vende të tjera, si në Republikën Demokratike të Kongos, në Tanzani dhe në Ugandë. Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re i plotë, u prezantua për herë të parë në kiniaruande në vitin 2010. Aktualisht, mbi 35.500 vëllezër e motra shërbejnë në 634 kongregacione të gjuhës kiniaruande, në Ruandë.

Sinhaleze

Më 16 gusht 2024, vëlla Dejvid Splejn, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën sinhaleze, para një auditori me 4.273 të pranishëm, ditën e parë të kongresit rajonal «Shpall lajmin e mirë!», në Kolombo, Sri-Lankë. Edhe 1.045 të tjerët që ishin mbledhur për kongresin rajonal në qytetin e Shilaues, Sri-Lankë, u lidhën nëpërmjet videokonferencës për programin. Të pranishmit në të dyja vendet morën kopje të shtypura të Përkthimit Bota e Re në sinhaleze. Gjithashtu botimi u vu menjëherë në dispozicion në formatin dixhital në jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Më shumë se 75 vjet më parë, Dëshmitarët e Jehovait kanë filluar të përkthejnë në sinhaleze botime të bazuara në Bibël. Sot mbi 15 milionë njerëz që flasin sinhaleze jetojnë në Sri-Lankë, përfshirë 4.808 vëllezërit e motrat që shërbejnë në 62 kongregacione të kësaj gjuhe atje.

Ualisiane

Më 30 gusht 2024, vëlla Martin Dékuzju, anëtar i Komitetit të Degës në Kaledoninë e Re, prezantoi botimin e plotë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ualisiane gjatë kongresit rajonal: «Shpall lajmin e mirë!» Kongresi u mbajt në qytetin e Numeës, Kaledoni e Re, dhe në fshatin e Malaesë, ishujt Valis-e-Futuna. Këto 2 vende ishin lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet videokonferencës, dhe 317 të pranishmit morën nga një kopje të shtypur të Përkthimit Bota e Re. Bibla u vu menjëherë në dispozicion në formatin dixhital në jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Në vitin 2018 në gjuhën ualisiane u prezantua Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Gjithsej në Kaledoninë e Re dhe në ishujt Valis-e-Futuna ka 153 vëllezër e motra që shërbejnë në 2 kongregacione. Ata mezi presin të përdorin versionin e plotë të Përkthimit Bota e Re që t’u shpallin lajmin e mirë më shumë se 35.000 banorëve që flasin ualisiane në këto vende.