6 MAJ 2020
SRI-LANKË
Lajmëtarët që dinë gjuhën e shenjave, vazhdojnë predikimin pavarësisht nga izolimi
Si në shumë vende, edhe autoritetet në Sri-Lankë kanë vendosur kufizime në mbarë vendin, që të luftojnë përhapjen e COVID-19. Prandaj, Dëshmitarët që shërbejnë në grupet e gjuhës së shenjave, po përdorin teknologjinë që t’u flasin për Jehovain atyre që kanë vështirësi me dëgjimin ose që nuk dëgjojnë fare.
Një pioniere në fushën e gjuhës sinhaleze të shenjave, Vianga Fernando, predikon me anë të letrave. Ngaqë shumë prej atyre që nuk dëgjojnë, e kanë të vështirë të lexojnë, ajo bën vizatime për të ilustruar të vërtetat nga Bibla.
Motër Rozi Çitravelotami dyshonte nëse mund t’i bënte studimet e Biblës me anë të videokonferencave. Ajo shpjegon: «Në të shkuarën, sa herë përdorja këtë mënyrë me ata që nuk dëgjojnë, sinjali ishte i dobët. Ndaj e kishin shumë të vështirë të kuptonin shenjat e mia.» Mirëpo, Rozi ishte e vendosur të predikonte gjatë pandemisë, ja pse provoi përsëri. Tani, ajo po studion Biblën me 3 veta dhe studentët e saj ndjekin mbledhjet nëpërmjet videokonferencës.
Nirosha Shiranti është një motër që nuk dëgjon dhe që u pagëzua në mars të 2020-s. Asaj iu desh të kapërcente frikën që të predikonte me anë të videokonferencave, prandaj iu lut Jehovait. Më pas plotësoi kërkesën për të shërbyer si pioniere ndihmëse gjatë periudhës së Përkujtimit. Shumë veta që nuk dëgjojnë, e pranuan ftesën e saj dhe disa prej tyre donin të mësonin më tepër për shenjën e ditëve të fundit. Nirosha nisi të studionte Biblën me 7 veta. Ajo pohon: «Kur predikoj, ndihem jashtë mase e lumtur. Edhe pse s’dalim dot nga shtëpitë, mund ta vazhdojmë këtë vepër. Jehovai gjithmonë e plotëson qëllimin e tij.» Tani, Nirosha është pioniere ndihmëse në vazhdimësi.
Jemi të lumtur të dëgjojmë këto histori të shkurtra besimforcuese nga Sri-Lanka. Ato janë rezultat i punës së palodhur të vëllezërve e motrave që kanë vështirësi me dëgjimin ose që nuk dëgjojnë dot, për të lavdëruar emrin e Jehovait.—Psalmi 113:1.