Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’të bëj nëse miku im më lëndon?

Ç’të bëj nëse miku im më lëndon?

 Çfarë duhet të dish?

  •   S’ka marrëdhënie njerëzore pa probleme. Meqë një shok, a madje dikush që e konsideron mikun tënd më të ngushtë, është i papërsosur, mund të të lëndojë me fjalë a veprime. Ama edhe ti je i papërsosur. Ndaj, me sinqeritet, a nuk ka ndodhur që edhe ti të kesh lënduar dikë tjetër?​—Jakovi 3:2.

  •   Për shkak të Internetit është më kollaj të lëndohesh. Për shembull, një adoleshent me emrin David, thotë: «Kur je online dhe sheh fotot e mikut tënd në ndonjë rast shoqëror, mund të fillosh të mendosh se pse s’të ftuan edhe ty. Pastaj mund të ndihesh i tradhtuar dhe i trishtuar.»

  •   Mund të mësosh si ta përballosh problemin.

 Ç’mund të bësh?

 Analizo veten. Bibla thotë: «Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.»​—Eklisiastiu 7:9.

 «Disa herë e kupton më vonë se je mërzitur për hiçgjë.»​—Alisa.

 Për të menduar: a ke prirjen të jesh tepër i ndjeshëm? A mund të mësosh të jesh më tolerant me papërsosmëritë e të tjerëve?​—Eklisiastiu 7:21, 22.

 Mendo për dobitë e faljes. Bibla thotë: ‘Është gjë e bukur të kapërcesh shkeljen.’​—Proverbat 19:11.

 «Edhe nëse ke shkak për t’u ankuar, është mirë të falësh bujarisht. Kjo do të thotë të mos ia mbash avaz tjetrit atë që ka bërë dhe të mos presësh të të kërkojë falje sa herë që ti hap të njëjtin muhabet. Një herë që e ke falur, vëri kapak.»​—Malori.

 Për të menduar: a është situata vërtet kaq e rëndësishme? A mund të falësh për hir të paqes?​—Kolosianëve 3:13.

Të diskutosh vazhdimisht çdo problem që del në një miqësi është si të hapësh vazhdimisht derën që të hyjë ajër i ftohtë në një dhomë të ngrohtë

 Mendo për tjetrin. Bibla thotë: ‘Shih me interes jo vetëm çështjet e tua, por edhe ato të të tjerëve.’​—Filipianëve 2:4.

 «Kur në një miqësi ka respekt dhe dashuri, atëherë ke një arsye të fortë ta zgjidhësh shpejt problemin pasi i je përkushtuar me gjithë zemër kësaj miqësie. Tashmë ke bërë shumë përpjekje për të dhe nuk do që ta humbësh.»​—Nikol.

 Për të menduar: a mund të gjesh diçka për të vlerësuar te pikëpamja e personit tjetër?​—Filipianëve 2:3.

 Përfundimi: Të dish si t’i përballosh ndjenjat e lënduara është një aftësi që do të të ndihmojë goxha kur të rritesh. Ndaj, pse të mos e mësosh që tani?