Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Sa i rëndësishëm është popullariteti online?

Sa i rëndësishëm është popullariteti online?

 Një adoleshente që quhet Elejna, thotë: «Kur shihja që shokët e shkollës kishin me qindra followers, mendoja: ‘Ua çfarë popullariteti që kanë!’ Të them të drejtën isha pak xheloze.»

 A je ndier ndonjëherë kështu? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë të mos ngecësh në garën për popullaritet në rrjetet sociale.

 Cilat janë rreziqet?

 Te Proverbat 22:1, Bibla thotë: «Më mirë të bësh emër të mirë, se pasuri të madhe.» Pra, dëshira që të kesh një reputacion të mirë, a madje që të të kenë qejf, nuk është e gabuar.

 Por, ndonjëherë dëshira për t’u pranuar nga të tjerët kthehet në mani për popullaritet. A sjell ndonjë rrezik kjo? Onia, 16 vjeçe, mendon që po:

 «Kam parë që disa bëjnë çmendurira, për shembull, hidhen nga dritarja e katit të dytë të shkollës, vetëm e vetëm që të fitojnë popullaritet.»

 Që të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, disa filmojnë bëmat e tyre të çmendura dhe i postojnë online. Për shembull, disa adoleshentë postojnë video duke ngrënë kapsulat e detergjentëve të rrobave që përmbajnë substanca helmuese. Kuptohet që kjo s’duhet bërë kurrë!

 Bibla thotë: «Mos bëni asgjë . . . për mendjemadhësi.»—Filipianëve 2:3, Diodati i Ri.

 Për të menduar:

  •   Sa rëndësi ka për ty popullariteti online?

  •   A do të rrezikoje shëndetin ose jetën për të pasur vëmendjen dhe pëlqimin e moshatarëve?

 «Iluzioni i popullaritetit»

 Jo të gjithë bëjnë gjëra ekstreme për të fituar popullaritet online. Erika, 22 vjeçe, tregon se disa përdorin një strategji tjetër:

 «Ka nga ata që postojnë pa fund momente nga jeta e tyre që i konsiderojnë të rëndësishme dhe kështu lënë përshtypjen sikur kanë shumë miq me të cilët kalojnë shpesh kohën. Në këtë mënyrë krijojnë iluzionin e popullaritetit.»

 Kera, 15 vjeçe, thotë se disa mashtrojnë që të japin këtë përshtypje:

 «Kam parë se disa bëjnë foto që duket sikur ishin në një festë kur në të vërtetë ishin në shtëpi.»

 Methju, 22 vjeç, pranon se edhe ai vetë e ka bërë diçka të tillë:

 «Postova një fotografi dhe i bëra tag sikur isha në malin Everest, edhe pse s’kam qenë kurrë në Azi!»

 Bibla thotë: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.

 Për të menduar:

  •   Nëse përdor rrjetet sociale, a mashtron për të fituar më shumë popullaritet?

  •    A pasqyrojnë fotot dhe komentet e tua se kush je vërtet dhe se çfarë vlerash ke?

 Sa rëndësi ka numri i followers dhe likes?

 Shumë mendojnë se çelësi për të pasur popullaritet është të kesh një numër të pafund followers dhe likes. Methju, i përmendur më sipër, pranon se më përpara kështu mendonte edhe ai:

 «Shpesh i pyesja të tjerët: ‘Sa followers ke?’ ose ‘Sa është maksimumi i likes që ke marrë?’ Që të rritja numrin e followers, fillova t’i bëja follow atyre që nuk i njihja, me shpresën që edhe ata do të më bënin follow mua. Nisa ta lakmoja popullaritetin, dhe rrjetet sociale vetëm sa ma shtonin këtë dëshirë.»

Popullariteti online është si ushqimi jo i shëndetshëm—të shijon për momentin, por pastaj të bën dëm

 Maria, 25 vjeçe, vëren se disa e bazojnë plotësisht mënyrën si e vlerësojnë veten te numri i followers dhe likes që marrin:

 «Nëse ‘selfie’ që poston një vajzë, nuk merr mjaftueshëm like, atëherë ajo arrin në përfundimin se është e shëmtuar. Patjetër që ky arsyetim është i gabuar, ama shumë veta do të reagonin njësoj. Në njëfarë kuptimi, ata bullizojnë veten.»

 Bibla thotë: «Të mos jemi egoistë, të mos ngjallim konkurrencë mes nesh e të mos kemi zili njëri-tjetrin.»—Galatasve 5:26.

 Për të menduar:

  •   Nëse përdor rrjetet sociale, a të shtyjnë të krahasohesh me të tjerët?

  •    Çfarë ka më shumë rëndësi për ty, të shtosh numrin e followers apo të zhvillosh miqësi reale me njerëz që të kanë vërtet për zemër?