Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si mund t’i shpjegoj bindjet që kam për seksin?

Si mund t’i shpjegoj bindjet që kam për seksin?

«Si?! Akoma e virgjër ti?!»

Nëse do që t’i japësh përgjigje dhe i përgjigjesh po, a do të doje ta thoshe me bindje të plotë? Ky artikull do të të ndihmojë.

 Çfarë është virgjëria?

 I virgjër është dikush që s’ka kryer kurrë marrëdhënie seksuale.

 Por, çfarë përfshihet në «marrëdhëniet seksuale»? Përfshihet seksi me dikë tjetër, por jo vetëm kaq. Disa mund të mendojnë se janë «teknikisht të virgjër» ngaqë nuk kanë bërë seks me dikë​—ndonëse kanë bërë çdo gjë tjetër.

 Në «marrëdhëniet seksuale» përfshihen edhe seksi oral, seksi anal ose masturbimi i një personi tjetër.

 Përfundimi: Ata që kryejnë marrëdhënie seksuale​—ku përfshihen seksi oral, seksi anal ose masturbimi i një personi tjetër—​nuk mund të thonë se janë të virgjër.

 Çfarë thotë Bibla për seksin?

 Bibla thotë se aktiviteti seksual duhet të ndodhë vetëm mes një burri dhe një gruaje që janë të martuar me njëri-tjetrin. (Proverbat 5:18) Prandaj, dikush që dëshiron ta gëzojë Perëndinë, nuk duhet të përfshihet në ndonjë aktivitet seksual derisa të martohet.​—1 Selanikasve 4:3-5.

 Disa thonë se pikëpamja e Biblës është jashtë botës ose jashtë realitetit në shoqërinë tonë moderne. Por, mos harro se botën tonë moderne e ka pllakosur divorci, shtatzënitë e padëshiruara dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Vërtet, kjo botë s’ka gojë të na japë këshilla për moralin.​—1 Gjonit 2:15-17.

 Kur mendon për këtë, kodi moral i Biblës është plot kuptim. Ta ilustrojmë: ta zëmë se dikush të dhuron 1.000 euro. A do t’i hidhje nga dritarja që t’i marrë kushdo që kalon në rrugë?

 Edhe në lidhje me seksin të duhet të marrësh një vendim të ngjashëm. «Nuk dua ta flak virgjërinë dhe t’ia jap dikujt, emrin e të cilit mbase as që do ta kujtoj vite më vonë»,—thotë Sierra 14-vjeçare. Edhe Tami 17 vjeçe mendon njësoj. Ajo thotë: «Seksi është dhuratë shumë e veçantë për ta çuar dëm.»

 Përfundimi: Bibla thotë se ata që s’janë martuar ende, duhet ta ruajnë virgjërinë dhe të kenë një sjellje të pastër.​—1 Korintasve 6:18; 7:8, 9.

 Çfarë beson ti?

  •   A beson se pikëpamja e Biblës për seksin është e arsyeshme apo tepër e rreptë?

  •   A beson se s’ka problem që dy të pamartuar të bëjnë seks nëse e duan vërtet njëri-tjetrin?

 Pasi e kanë peshuar me kujdes çështjen, shumë të rinj kanë nxjerrë përfundimin se virgjëria dhe sjellja e pastër janë zgjedhja më e mirë. Atyre as u vjen keq, as ndihen të privuar nga ky vendim. Shqyrto çfarë thonë disa:

  •  «Jam e kënaqur që jam e virgjër! S’ka asgjë të gabuar të shmangësh dhembjen mendore, fizike dhe emocionale që vjen nga seksi para martese.»​—Emilia.

  •  «Jam e lumtur që nuk kam një listë me marrëdhënie seksuale të dështuara, dhe është një ndjesi shumë e këndshme kur e di që s’ka fare gjasa të kem sëmundje seksualisht të transmetueshme.»​—Elejna.

  •  «Kam dëgjuar disa goca të moshës sime dhe më të mëdha se janë bërë pishman që kanë kryer seks dhe se do të donin të kishin pritur. S’dua të bëj të njëjtin gabim.»​—Vera.

  •  «Kam njohur kaq shumë veta me vraga emocionale ngaqë kanë humbur virgjërinë ose kanë pasur shumë partnerë. Mendoj se kjo mënyrë jetese është e trishtë.»​—Diana.

 Përfundimi: Duhet të dish çfarë beson para se të hasësh presion ose tundim për të bërë seks.​—Jakovi 1:14, 15.

 Si mund t’ua shpjegosh bindjet e tua të tjerëve?

 Çfarë duhet të thuash nëse të pyesin se ç’bindje ke për seksin? Varet shumë nga rrethanat.

 «Nëse dikush do të donte vetëm të më tallte, nuk do të rrija aty veç duke dëgjuar. Do të thosha: ‘S’ka ç’të duhet ty’, dhe do të ikja.»​—Korina.

 «Mjerisht, disa në shkollë i ngacmojnë të tjerët sa për gallatë. Nëse më pyesin me këtë synim, mbase nuk përgjigjem fare.»​—Dejvidi.

 A e dije? Nganjëherë, Jezui «iu përgjigj» tallësve me heshtje.​—Mateu 26:62, 63.

 Po nëse të pyesin me respekt dhe sinqeritet? Nëse mendon se ai që të pyet, ka respekt për Biblën, mund t’u referohesh vargjeve si 1 Korintasve 6:18, që thotë se një person që kryen seks para martese po mëkaton kundër trupit të vet ose po e dëmton atë.

 Pavarësisht nëse e përdor Biblën ose jo, rëndësi ka të flasësh me bindje. Mos harro, ti gëzon çdo të drejtë të jesh krenar për zgjedhjen tënde për të ruajtur pastërtinë morale.​—1 Pjetrit 3:16.

 «Kur e jep përgjigjen me siguri të plotë, kjo tregon se nuk ke dyshim për bindjet e tua dhe se e bën diçka ngaqë është e drejtë, jo se të kanë thënë të tjerët.»​—Xhilli.

 Përfundimi: Nëse je i sigurt për bindjen që ke për seksin, do të arrish t’ua shpjegosh të tjerëve. Dhe mund të habitesh nga përgjigjja e tyre. «Në fakt, kolegët më kanë lavdëruar që e kam ruajtur virgjërinë»,—thotë Melinda 21-vjeçare. «Nuk u duket e çuditshme. E konsiderojnë si shenjë vetëkontrolli dhe virtyti.»

 Këshillë: Nëse ke nevojë të formosh bindje të qarta për seksin, shkarko fletën: «Si t’i shpjegosh bindjet që ke për seksin?» Gjithashtu, shqyrto librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike.

 «Më pëlqen jashtë mase arsyetimi te librat ‘Të rinjtë pyesin’. Për shembull, faqja 187 e vëllimit 1 thotë se të bësh seks para martese është si të falësh një varëse të kushtueshme. Ia ul vlerën vetes. Faqja 177 tregon se të bësh seks para martese është si të marrësh një pikturë të bukur dhe ta vësh te dera për të fshirë këpucët. Por ilustrimi që më pëlqen më shumë gjendet në faqen 54 të vëllimit 2. Diçitura thotë: ‘Seksi para martese është si të hapësh një dhuratë para se të ta japin.’ Është sikur po vjedh diçka që i përket dikujt tjetër​—bashkëshortit tënd të ardhshëm.»​—Viktoria.