Kalo te përmbajtja

IMITONI BESIMIN E TYRE | MIRIAMI

«Këndojini Jehovait!»

«Këndojini Jehovait!»

 Vajza rrinte e fshehur aty pranë, por sytë nuk ia ndante kallamishtes. Rrinte pa lëvizur, thuajse e ngrirë, teksa para saj rridhte shtruar Nili i madh. Koha kalonte, por ajo rrinte në pritje e shikonte. As zukatja e insekteve përreth nuk dukej se ia largonte vëmendjen. Sytë ia kishte ngulur një shporte ku gjendej një foshnjë. Ishte vëllai i saj. I pikonte në zemër kur e shihte atje të vetëm e të pambrojtur. Por s’kishte dyshime se prindërit po bënin gjënë e duhur. Kjo ishte e vetmja mundësi që foshnja të shpëtonte.

 Ajo vajzë e vogël po tregohej mjaft e guximshme, por më vonë do të tregohej akoma edhe më shumë. Në zemrën e saj të njomë po zhvillohej një cilësi e mrekullueshme: besimi. Pas pak, ky besim do të bëhej i dukshëm dhe do ta shoqëronte përgjatë gjithë jetës. Vite më vonë, në moshë të shkuar, besimi do ta udhëhiqte gjatë periudhës më drithëruese në historinë e popullit të saj. Po kjo cilësi do ta ndihmonte edhe kur të bënte një gabim të rëndë. Kush ishte kjo vajzë? Dhe ç’mund të mësojmë nga besimi i saj?

U rrit si skllave

 Bibla nuk e tregon emrin e kësaj vajze, ama s’ka pikë dyshimi për identitetin e saj. Ajo ishte Miriami, më e madhja nga fëmijët e Amramit dhe Jokebedës, skllevër hebrenj që banonin në Egjipt. (Numrat 26:59) Foshnja ishte vëllai i saj më i vogël, që më vonë u quajt Moisi. Aroni, vëllai tjetër, duhet të ketë qenë tre vjeç në këtë kohë, ndërsa mosha e Miriamit nuk dihet me siguri. Por ka shumë gjasa të ketë qenë më e vogël se dhjetë vjeç.

 Miriami u rrit gjatë një periudhe të errët në historinë e popullit të saj. Egjiptianët i shihnin hebrenjtë si një rrezik të madh, ndaj dhe i kishin skllavëruar e i kishin shtypur. Kur panë se skllevërit po bëheshin të shumtë në numër, nga frika, egjiptianët përdorën një taktikë edhe më mizore. Faraoni urdhëroi që të vritej çdo mashkull hebre i sapolindur. Miriami pa dyshim kishte dëgjuar për besimin e dy mamive, Shifrës dhe Puahës, të cilat me guxim nuk iu bindën atij urdhri.—Eksodi 1:8-22.

 Miriami pa edhe besimin e prindërve të saj. Pasi u lindi fëmija i tretë, Amrami dhe Jokebeda e mbajtën të fshehur për tre muaj foshnjën e tyre të bukur. Nuk u frikësuan aq shumë nga urdhri i mbretit sa ta braktisnin fëmijën. (Hebrenjve 11:23) Por nuk mund ta fshihnin gjatë, ndaj shpejt morën një vendim të dhimbshëm. Jokebeda e la fëmijën në një vend ku dikush mund ta gjente, ta merrte e ta rriste si fëmijën e vet. Përfytyroni atë nënë tek lutet me zjarr ndërsa thur me papirus një shportë. E lyen shportën me bitum e katran që të mos futë ujë. Në fund, pasi ka vënë mbi të fëmijën e saj të shtrenjtë, e lë në lumin Nil. Pa diskutim që e porositi Miriamin të rrinte e të shihte ç’do të ndodhte.—Eksodi 2:1-4.

Shpëtoi të vëllanë

 Miriami po priste. S’kaloi shumë dhe disa gra po vinin aty. S’ishin egjiptiane çfarëdo. Ishte vetë bija e faraonit me shërbëtoret e saj që po hynin në lumë për t’u larë. Mbase në atë çast, Miriamit sa s’i pushoi zemra nga frika. As mund ta çonte nëpër mend se e bija e faraonit do të shkelte urdhrin e të atit, e do të kujdesej për atë foshnjë hebreje! Kushedi me sa zjarr duhet të jetë lutur Miriami!

 E para që e dalloi shportën mes kallamave ishte e bija e faraonit, e cila urdhëroi një nga shërbëtoret t’ia sillnin. Tregimi vazhdon kështu: «Kur e hapi, pa djalin që po qante.» Shpejt e kuptoi se duhej të ishte ndonjë fëmijë hebre, të cilin e ëma po përpiqej ta shpëtonte. Por të bijës së faraonit iu dhimbs ai fëmijë i bukur. (Eksodi 2:5, 6) Me siguri, teksa Miriami po rrinte aty, e vuri re si u ndje ajo grua. E kuptoi se ky ishte momenti të tregonte besim te Jehovai. Mblodhi forcat dhe me guxim iu afrua grave të oborrit mbretëror.

 Nuk e dimë ç’mund ta priste një skllave të vogël hebreje që merrte guximin t’i fliste një princeshe. E megjithatë pa ndrojtje, Miriami e pyeti: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë nga gratë hebreje që t’i japë gji fëmijës?» Pyetje mjaft e mençur! E bija e faraonit e dinte fare mirë se nuk mund ta mëndte foshnjën. Mbase edhe mendoi se do të ishte më mirë që fëmija të rritej mes popullit të vet. Më vonë ajo mund ta adoptonte si fëmijën e saj e të kujdesej për rritjen dhe arsimimin e tij. Zemra e Miriamit duhet të ketë gufuar nga gëzimi kur princesha iu përgjigj me një fjalë të vetme: «Shko!»—Eksodi 2:7, 8.

Miriami me guxim bëri rojë për vëllanë e saj të vogël

 Miriami shkoi me vrap te prindërit që po pritnin tërë ankth. Përfytyroni atë vajzë të vogël tek ia thoshte gjithë entuziazëm lajmin së ëmës. E bindur se kjo ishte dora e Jehovait, Jokebeda shkoi bashkë me Miriamin tek e bija e faraonit. Mbase u përpoq ta fshihte gëzimin kur dëgjoi urdhrin që i dha princesha: «Merre me vete këtë fëmijë e jepi gji, dhe unë do të të paguaj.»—Eksodi 2:9.

 Atë ditë, Miriami mësoi shumë për Perëndinë e saj, Jehovain. Mësoi se Ai interesohet për popullin e tij dhe i dëgjon lutjet e tyre. Mësoi edhe se besimi e guximi nuk janë cilësi që mund t’i shfaqin vetëm burrat a të rriturit. Jehovai i dëgjon të gjithë shërbëtorët e tij besnikë. (Psalmi 65:2) Qofshim të rinj a të moshuar, burra a gra, edhe ne sot nuk duhet ta harrojmë këtë në këto kohë të vështira.

Tregoi durim

 Jokebeda e mëndi fëmijën dhe u kujdes për të. S’do mend që Miriami duhet ta ketë dashur shumë vëllanë e saj të vogël. Mbase e mësoi të fliste. Kushedi sa duhet të jetë gëzuar kur e dëgjoi të thoshte për herë të parë emrin e Perëndisë së tij, Jehova. Ndërsa fëmija rritej, erdhi koha që ta merrte e bija e faraonit. (Eksodi 2:10) Ndarja duhet të ketë qenë e dhimbshme për gjithë familjen. Sa kureshtare duhej të ishte Miriami të dinte ç’lloj njeriu do të bëhej i vëllai, Moisiu, siç e quajti e bija e faraonit. A do ta ruante dashurinë për Jehovain ndërsa rritej në oborrin mbretëror të Egjiptit?

 Koha do ta tregonte. Zemra e Miriamit gufoi nga krenaria kur mësoi se vëllai i saj i vogël u bë një burrë që zgjodhi t’i shërbente Perëndisë së tij, në vend se të shijonte luksin që i ofronte oborri mbretëror i faraonit. Kur ishte 40 vjeç, ai mori anën e popullit të tij. Vrau një egjiptian ngaqë po keqtrajtonte një skllav hebre. Nga frika se mos e vritnin, Moisiu ia mbathi nga Egjipti.—Eksodi 2:11-15; Veprat 7:23-29; Hebrenjve 11:24-26.

 Për dyzet vjet me radhë, Miriami mbase s’mori asnjë lajm për të vëllanë, i cili kishte shkuar të jetonte në Midianin e largët, ku rriste dele. (Eksodi 3:1; Veprat 7:29, 30) Por ndërsa vitet iknin dhe Miriami plakej, ajo shihte se vuajtjet e popullit shtoheshin dita-ditës.

Shërbeu si profeteshë

 Ka të ngjarë që Miriami të ketë qenë në të 80-at kur Moisiu u kthye si i dërguar nga Perëndia për të çliruar popullin e Tij. Të dy vëllezërit e Miriamit, Aroni, që shërbente si zëdhënësi i Moisiut, dhe Moisiu shkuan te faraoni që t’i kërkonin ta linte popullin e Perëndisë të shkonte. Me siguri ajo u dha zemër sa herë që ktheheshin nga faraoni, i cili me arrogancë ua hidhte poshtë kërkesën. Ndërkohë, Jehovai dërgoi dhjetë plagët si paralajmërim për egjiptianët. Më në fund, pas plagës së dhjetë—ekzekutimi i çdo të parëlinduri egjiptian—erdhi koha për Eksodin e madh të Izraelit. Ndërkohë që Moisiu merrte drejtimin, përfytyroni Miriamin tek ndihmonte me mish e me shpirt popullin e saj të largohej.—Eksodi 4:14-16, 27-31; 7:1–12:51.

 Më vonë, kur Izraeli ishte i bllokuar midis Detit të Kuq dhe ushtrisë egjiptiane, Miriami vështroi të vëllanë, Moisiun, që qëndronte para detit dhe që ngriti shkopin. Ujërat e detit u ndanë. Ndërsa shihte popullin që ecte në tokë të thatë, Miriami ndiente se besimi i saj te Jehovai ishte më i fortë se kurrë. Ajo i shërbente një Perëndie që mund të bënte gjithçka dhe që mund të përmbushte çdo premtim.—Eksodi 14:1-31.

 Pasi populli kaloi shëndoshë e mirë në anën tjetër, kurse faraoni dhe ushtria e tij u plandosën në det, Miriami pa me sytë e saj se Jehovai ishte më i fortë se ushtria më e fuqishme e asaj kohe. Burrat ia morën këngës për Jehovain. Edhe Miriami, e ndjekur nga gratë e tjera, ua ktheu me këngë: «Këndojini Jehovait, sepse shumë është lartësuar; kalin e kalorësin në det i ka flakëruar.»—Eksodi 15:20, 21; Psalmi 136:15.

Miriami u frymëzua t’u printe grave izraelite në një këngë për fitoren në Detin e Kuq

 Ky ishte një nga çastet më kulmore në jetën e Miriamit, një moment që s’do ta harronte kurrë. Në këtë pikë të tregimit në Bibël, Miriami quhet profeteshë. Ajo është gruaja e parë që quhet kështu. Miriami ishte një ndër gratë e pakta që i shërbyen Jehovait në këtë mënyrë të veçantë.—Gjykatësit 4:4; 2 Mbretërve 22:14; Isaia 8:3; Luka 2:36.

 Ky tregim na Bibël na kujton se Jehovai i ka sytë mbi ne dhe mezi pret të na shpërblejë për përulësinë tonë, për durimin dhe për dëshirën që kemi për t’i pëlqyer atij. Një besim i tillë ia gëzon zemrën. Ai s’e harron kurrë dhe është i lumtur të na shpërblejë. (Hebrenjve 6:10; 11:6) Ç’arsye të fortë për të imituar besimin e Miriamit!

U bë krenare

 Privilegjet dhe caktimet sjellin bekime, por edhe rreziqe. Në kohën kur Izraeli u çlirua nga skllavëria, ka të ngjarë që Miriami ishte gruaja më e shquar në gjithë kombin. A do të dorëzohej ajo para krenarisë ose ambicies? (Proverbat 16:18) Mjerisht, për njëfarë kohe u dorëzua.

 Disa muaj pas Eksodit, Moisiu mirëpriti disa njerëz që vinin nga larg. Ishte vjehrri i tij, që kishte sjellë të shoqen e Moisiut, Ziporën, dhe dy djemtë e tyre. Gjatë qëndrimit 40-vjeçar në Midian, Moisiu ishte martuar. Më herët Zipora kishte shkuar te familja e saj në Midian, mbase për vizitë, dhe tani i ati po e shoqëronte për te kampi i izraelitëve. (Eksodi 18:1-5) Kushedi sa kureshtje do të ketë ngjallur në popull ardhja e tyre. Mbase shumë mezi prisnin të shihnin gruan e atij që Perëndia kishte zgjedhur që t’u printe për të dalë nga Egjipti.

 Po Miriami, a ishte e lumtur? Ndoshta. Por, pas njëfarë kohe duket që krenaria i nxori kokë. Ajo mund të jetë ndier e kërcënuar, duke menduar se Zipora do t’i zinte vendin si gruaja më e shquar. Sido të ketë qenë, Miriami dhe Aroni nisën të flitnin në mënyrë kritikuese. Siç ndodh shpesh me këtë lloj të foluri, fjalët e tyre u bënë shpejt therëse e të hidhura. Si fillim nisën të flitnin për Ziporën. U ankuan se ishte kushite e jo izraelite. a Më pas filluan të flisnin kundër vetë Moisiut. Miriami dhe Aroni thoshin: «Pse, vetëm nëpërmjet Moisiut ka folur Jehovai? A nuk ka folur edhe nëpërmjet nesh?»—Numrat 12:1, 2.

U godit me lebër

 Nga këto fjalë kuptojmë se Miriami dhe Aroni po ushqenin mëri ndaj Moisiut. Ata s’ishin të kënaqur që Jehovai po e përdorte, ngaqë donin më shumë autoritet e pozitë për veten. A po abuzonte Moisiu me autoritetin që kishte? S’diskutohet që kishte të metat e tij, por nuk karakterizohej nga krenaria dhe ambicia. Tregimi i frymëzuar thotë: «Tani, Moisiu ishte më zemërbuti ndër gjithë njerëzit në faqen e dheut.» Miriami dhe Aroni e kishin kryekëput gabim dhe po rrezikonin shumë. Siç thuhet në tregim: «Jehovai po dëgjonte.»—Numrat 12:2, 3.

 Papritur, Jehovai i thirri të tre te tenda e takimit. Shtylla mahnitëse e resë që përfaqësonte praninë e Jehovait, zbriti dhe qëndroi në hyrje të tendës. Pastaj, Jehovai foli. Ai i qortoi Miriamin dhe Aronin, duke u kujtuar marrëdhënien e veçantë që kishte me Moisiun dhe sa besim kishte tek ai. Jehova i pyeti: «Si nuk patët frikë, pra, të flitnit kundër shërbëtorit tim, kundër Moisiut?» Miriami dhe Aroni sigurisht u drodhën nga frika. Jehovai e pa sjelljen e tyre pa respekt ndaj Moisiut sikur të ishin sjellë pa respekt ndaj Atij vetë.—Numrat 12:4-8.

 Ka mundësi që Miriami ta ketë shtyrë Aronin të bëhej palë me të kundër kunatës së tyre. Kjo do të shpjegonte pse Jehovai goditi me lebër vetëm Miriamin. Ajo sëmundje e tmerrshme ia bëri lëkurën ‘të bardhë si bora’. Aroni shkoi menjëherë e u përul para Moisiut, duke iu përgjëruar që të ndërhynte dhe i tha: «Kemi vepruar pa mend.» Moisiu si zemërbutë që ishte, i thirri Jehovait: «Të lutem, o Perëndi, të lutem, shëroje!» (Numrat 12:9-13) Dhimbja që ndienin të dy vëllezërit tregon qartë sa shumë e donin motrën e madhe, pavarësisht nga të metat e saj.

Jehovai e fali Miriamin

 Jehovai i tregoi mëshirë. E shëroi Miriamin e penduar. Megjithatë kërkoi që ajo të qëndronte shtatë ditë në karantinë jashtë kampit të Izraelit. Ndërsa largohej me turp nga kampi për t’iu bindur urdhrit, Miriami duhet të jetë ndier thellësisht e poshtëruar. Por besimi e shpëtoi. Në zemër, ajo e dinte mirë se Ati i saj, Jehovai, ishte i drejtë dhe po e disiplinonte nga dashuria. Ndaj iu bind urdhrit. Kaloi shtatë ditë në vetmi ndërsa hebrenjtë e tjerë pritnin në kamp. Më pas Miriami tregoi sërish besim. Me përulësi priti derisa ‘e futën përsëri’ në kamp.—Numrat 12:14, 15.

 Jehovai disiplinon ata që do. (Hebrenjve 12:5, 6) Ai e donte shumë Miriamin, ndaj s’mund ta linte pa e korrigjuar. Është e vërtetë se disiplina ishte e dhimbshme, por i shpëtoi jetën. Ngaqë me përulësi e pranoi disiplinën, ajo fitoi përsëri miratimin e Perëndisë. Jetoi thuajse deri në përfundim të qëndrimit të izraelitëve në shkretëtirë. Kur vdiq në Kadesh, në shkretëtirën e Zinit, ishte gati 130 vjeç. b (Numrat 20:1) Shekuj më vonë, Jehovai e nderoi për shërbimin e saj besnik. Me anë të profetit Mikea, Ai i kujtoi popullit të tij: «Të shpengova nga shtëpia e skllavërisë; të dërgova Moisiun, Aronin dhe Miriamin.»—Mikea 6:4.

Besimi e ndihmoi Miriamin të mbetej e përulur kur Jehovai e disiplinoi

 Mund të mësojmë shumë nga jeta e Miriamit. Duhet të mbrojmë të pambrojturit dhe të marrim me guxim anën e së drejtës, siç bëri ajo kur ishte e vogël. (Jakovi 1:27) Gjithashtu duhet ta shpallim me gëzim mesazhin e Perëndisë. (Romakëve 10:15) Njëlloj si ajo, duhet heqim çdo gjurmë xhelozie dhe mërie. (Proverbat 14:30) Dhe ngjashëm saj, ne duhet të pranojmë me përulësi disiplinën nga Jehovai. (Hebrenjve 12:5) Ndërsa veprojmë kështu, do të jemi vërtet duke imituar besimin e Miriamit.

a Në rastin e Ziporës, fjala «kushite» me sa duket nënkuptonte se ishte nga Arabia, si midianitët e tjerë, dhe jo nga Etiopia.

b Miriami dhe dy vëllezërit e saj vdiqën sipas radhës, nga më i madhi te më i vogli—e para Miriami, i dyti Aroni dhe në fund Moisiu—me sa duket brenda një viti.