Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Ç’duhet të mbash parasysh nëse mendon ta çosh fëmijën në kopsht

Ç’duhet të mbash parasysh nëse mendon ta çosh fëmijën në kopsht

 Disa prindër që janë në punë, vendosin t’i çojnë fëmijët në kopsht a—një qendër edukative për parashkollorët, që funksionon si shkollë. A do të ishte zgjidhja e duhur për fëmijën tënd?

 Pyetje që mund të bësh

 A do ta dobësojë lidhjen prind-fëmijë? Mundet. Zhvillimi i shpejtë i trurit të fëmijës në vitet e para të jetës ndikon shumë te marrëdhëniet që do të krijojë me të tjerët. Ndaj përpiqu të kalosh sa më shumë kohë të jetë e mundur me fëmijën gjatë kësaj periudhe formimi.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

  •    Prindërit që po shqyrtojnë nëse dikush tjetër duhet të kujdeset për fëmijën gjatë ditës, duhet të mendojnë si do të mbajnë një lidhje të ngushtë me të.

 A do ta dobësojë ndikimin që ke te fëmija? Mundet. Libri Hold On to Your Kids thotë: «Sa më shumë kohë të kalojnë me njëri-tjetrin fëmijët e moshës parashkollore, aq më tepër ndikohen nga bashkëmoshatarët.»

  •    Prindërit duhet të pyesin veten se, po ta çojnë në kopsht, a do të vazhdojnë të jenë ata që do të ndikojnë më shumë se kushdo tjetër në jetën e fëmijës?

 A do ta ndihmojë fëmijën të jetë më i përgatitur për shkollën? Disa thonë po. Të tjerë thonë se kopshti ka pak ose aspak ndikim te zhvillimi i fëmijës. Sido që të jetë, psikologia e fëmijëve Penelope Liçi shkroi: «Mos bini në grackën që të mendoni se ‘arsimimi’ është çelësi që fëmija të ecë në jetë dhe se, sa më shpejt ta fillojë arsimimin, aq më mirë është. Nëse e bëni këtë, po nënvlerësoni ‘arsimimin’ që i keni dhënë ju që në momentin kur ka lindur.»

  •   Prindërit duhet të mendojnë nëse është vërtet e dobishme a madje e domosdoshme ta çojnë fëmijën në kopsht.

 A mund ta lërë punën njëri prind që të rrijë në shtëpi me fëmijën? Në disa raste, të dy prindërit punojnë thjesht për të mbajtur një standard të lartë jetese. Por a ka aq dobi, sa t’ia vlejnë vërtet sakrificat?

  •   Prindërit duhet të shqyrtojnë nëse mund të ulin shpenzimet që njëri të qëndrojë në shtëpi.

 Vendimin duhet ta marrësh vetëm pasi të kesh peshuar me kujdes pluset dhe minuset. Po sikur ta kesh bërë këtë dhe të kesh arritur në përfundimin se zgjidhja më e mirë është që dikush tjetër të kujdeset për fëmijën gjatë ditës?

 Ç’mund të bësh

 Bibla thotë se «mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin». (Proverbat 14:15) Me këtë parim në mendje, shqyrto me kujdes mundësitë që ke në dispozicion.

 Cilat janë disa mundësi

  •   Disa prindër zgjedhin një shtëpi për kujdesin e fëmijëve, pra, një banesë me një ose me pak edukatorë dhe me një grup të vogël fëmijësh.

  •   Disa të tjerë e lënë fëmijën nën kujdesin e një të afërmi, të një kujdestareje që jeton me ta ose të një dadoje.

 Të gjitha këto mundësi kanë pluse dhe minuse. Pse të mos flasësh me prindër të tjerë që kanë përvojë në këtë drejtim? Bibla thotë: «Mençuria u përket atyre që kërkojnë këshilla.»—Proverbat 13:10.

 Po nëse vendos ta çosh fëmijën në kopsht?

 Informohu për kopshtin

  •   A ka licensë dhe a i plotëson të gjitha kërkesat ligjore? Çfarë reputacioni ka?

  •   A është i pastër dhe i sigurt?

  •   Çfarë aktivitetesh ofron? b

 Informohu për edukatorët

  •   Çfarë kualifikimesh kanë? Për shembull, a kanë përvojë si edukatorë fëmijësh dhe a kanë marrë stërvitje për dhënien e ndihmës së shpejtë?

  •   A mund të informohesh nëse ata që kujdesen për fëmijën, janë persona të besueshëm e nuk kanë precedentë penalë?

  •   A ndryshon shpesh stafi? Nëse kjo ndodh, fëmijës do t’i duhet të përshtatet vazhdimisht me edukatorë të rinj.

  •   Sa fëmijë ka nën kujdes një edukator? Nëse ka shumë, kjo do të thotë më pak vëmendje për fëmijën tënd. Patjetër, mosha dhe aftësitë përcaktojnë sa nevojë ka fëmija yt për vëmendje.

  •   A janë edukatorët të gatshëm të komunikojnë për shqetësimet e tyre dhe të tuat?

a Në këtë artikull përdorim fjalën kopsht për thjeshtësi. Megjithatë, informacionet që trajtohen këtu, vlejnë për të gjitha rastet kur për fëmijën kujdeset dikush tjetër gjatë ditës, jo vetë prindi.

b Për shembull, a bëjnë aktivitete që stimulojnë zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijës apo i lënë gjithë kohës para televizorit?