Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Pse leximi është i rëndësishëm për fëmijët—Pjesa 2: Në pajisje elektronike apo në letër?

Pse leximi është i rëndësishëm për fëmijët—Pjesa 2: Në pajisje elektronike apo në letër?

 Çfarë i pëlqen të lexojë fëmijës tënd—një libër në letër apo në një pajisje elektronike?

 Shumë të rinj preferojnë të lexojnë në pajisje elektronike. Dr. Xhin M. Tuengi a shkruan: «Për një brez që po rritet duke klikuar linkun e radhës ose duke kaluar brenda sekondash në faqen tjetër me një të prekur gishti, librat janë thjesht të mërzitshëm.»

 Nuk diskutohet që leximi në një pajisje elektronike ka avantazhet e veta. Xhoni, që është 20 vjeç, thotë: «Aty ku e kam bërë unë shkollën, përdornin libra në format dixhital. Opsioni ‘kërko’ më ndihmonte ta gjeja tak-fak informacionin që më duhej.»

 Ata që lexojnë nga një pajisje elektronike, kanë në dorë edhe mjete të tjera të dobishme. Për shembull, vetëm me një klikim ose me një të prekur, mund të gjejnë përkufizimin e një fjale, të dëgjojnë audio, të shohin video të tjera për të njëjtën temë ose të kenë akses për të marrë informacione ekstra duke klikuar një link referues. Gjithsesi, a do të thotë kjo se të lexosh materiale të printuara është më pak e dobishme?

 Kur duan të bëjnë një studim më domethënës, disa parapëlqejnë botime të shtypura. Pse?

  •   Përqendrimi. Një adoleshent me emrin Nejthën, thotë: «Kur lexoj në një pajisje elektronike, reklamat dhe njoftimet shpesh nuk më lënë të përqendrohem.»

     Kerëni, 20 vjeçe, ka të njëjtin problem. Ajo komenton: «Kur lexoj nga telefoni ose nga tableti, është fare e lehtë të më tërheqë ndonjë aplikacion tjetër ose të tundohem të bëj ndonjë lojë.»

     Parim nga Bibla: «Shfrytëzoni kohën.»—Kolosianëve 4:5, Bibla ECM.

     Për të menduar: A ka fëmija yt aq vetëdisiplinë, sa t’i shmangë shpërqendrimet kur lexon ose kur studion në një pajisje dixhitale? Nëse jo, si ta ndihmosh që të mësojë të përqendrohet?

     Sugjerim: Ndihmoje fëmijën të kuptojë se shpërqendrimet nga mjetet dixhitale thjesht do t’ia zgjatin kohën për detyrat e shtëpisë dhe do t’ia shkurtojnë kohën për gjërat që ka qejf.

  •   Aftësia për të kuptuar. Libri Be the Parent, Please thotë: «Eksperimentet e shumta kanë treguar se lexuesit thjesht nuk arrijnë të njëjtin nivel kuptueshmërie kur lexojnë në ekran krahasuar me leximin në letër.»

     Një arsye është se, kur lexojmë në pajisje elektronike, priremi ta kalojmë shpejt e shpejt materialin, në vend që të mendojmë thellë për të. Autori Nikolas Kerri thotë: «Kur përdorim internetin, duam të mbledhim informacion me të njëjtën shpejtësi që lëvizin sytë dhe gishtat.» b

     Sigurisht që nganjëherë është e dobishme edhe t’u hedhësh një sy të shpejtë informacioneve. Por, siç vëren Kerri, problemi është se «kjo po bëhet mënyra kryesore e të lexuarit». Si rezultat, fëmija mund të zhvillojë zakonin që ta lexojë me një frymë materialin, pa e kapur kuptimin e tij.

     Parim nga Bibla: «Ndër gjithë gjërat që fiton, fito aftësi për të kuptuar.»—Proverbat 4:7.

     Për të menduar: Si ta ndihmosh fëmijën të bëjë kërkime më të thella për një temë të caktuar, qoftë në letër, qoftë në pajisje elektronike?

     Sugjerim: Ji i ekuilibruar. Nuk është puna të përdorësh vetëm një format, sepse të dyja kanë avantazhet e veta. Është e vërtetë se disa veçori të mjeteve elektronike mund ta bëjnë më të lehtë të kuptosh diçka. Ndaj ji i arsyeshëm kur të diskutosh me fëmijët pluset dhe minuset e të dyja formateve. Mos harro edhe se çdo fëmijë është i ndryshëm.

  •   Kujtesa. Në një artikull të botuar në Scientific American, Ferris Xhejbri vëren se, ndryshe nga leximi në faqe të shtypura, kur lexon nga një pajisje elektronike, «truri lodhet më shpejt . . . dhe bëhet pak më e vështirë të mbash mend atë që ke lexuar».

     Për shembull, kur lexon një libër të shtypur, ndihmon kujtesën të krijojë një «hartë» pamore të vendit ku gjendet pika që ke lexuar. Rezultati mund të jetë një «shënim» në mendje që ta përdorësh më vonë.

     Përveç kësaj, studiuesit kanë parë se ata që lexojnë materiale të shtypura, priren ta kujtojnë më lehtë informacionin. Me sa duket, kjo ndodh sepse e mësojnë më mirë.

     Parim nga Bibla: «Ruaje mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar mirë.»—Proverbat 3:21.

     Për të menduar: A e ka të vështirë fëmija yt të kuptojë ose të mbajë mend çfarë ka lexuar ose studiuar? Nëse po, si mund ta ndihmosh të përmirësojë mënyrën e studimit? A do ta ndihmonte një botim i shtypur?

     Sugjerim: Mendo më shumë nëse fëmija po mëson apo jo, në vend që të përqendrohesh te mjeti që i pëlqen të përdorë. Njerëzit kanë prirjen të mendojnë se janë shumë më të aftë kur lexojnë në mjete elektronike.

a Nga libri iGen.

b Nga libri The Shallows.