Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
Përgjigjja e Biblës
Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale që e ka themeluar Perëndia Jehova. Në Bibël «Mbretëria e Perëndisë» quhet edhe «mbretëria e qiejve», sepse sundon nga qielli. (Marku 1:14, 15; Mateu 4:17 Diodati i Ri) Edhe pse ka shumë ngjashmëri me qeveritë njerëzore, ajo është më e lartë në çdo aspekt.
Sundimtarët. Perëndia ka caktuar Jezu Krishtin si Mbret të Mbretërisë dhe i ka dhënë më tepër autoritet se ç’ka pasur ndonjë sundimtar njerëzor. (Mateu 28:18) Jezui e përdor pushtetin vetëm për të bërë mirë, pasi tashmë e ka vërtetuar se është një Udhëheqës i besueshëm e i dhembshur. (Mateu 4:23; Marku 1:40, 41; 6:31-34; Luka 7:11-17) Nën drejtimin e Perëndisë, Jezui ka zgjedhur individë nga të gjitha kombet, të cilët «do të mbretërojnë mbi tokën» me të në qiell.—Zbulesa 5:9, 10.
Kohëzgjatja. Ndryshe nga qeveritë njerëzore, të cilat venë e vijnë, Mbretëria e Perëndisë «nuk do të shkatërrohet kurrë».—Danieli 2:44.
Nënshtetasit. Çdokush që bën atë që kërkon Perëndia mund të jetë nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë, pavarësisht nga prejardhja apo vendi i lindjes.—Veprat 10:34, 35.
Ligjet. Ligjet (ose urdhërimet) e Mbretërisë së Perëndisë nuk janë vetëm për të ndaluar sjelljen e keqe. Ato u japin nënshtetasve cilësi morale më të larta. Për shembull, Bibla thotë: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’» (Mateu 22:37-39) Dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin i nxit nënshtetasit e Mbretërisë t’u bëjnë të mira të tjerëve.
Arsimimi. Ndonëse Mbretëria e Perëndisë ka standarde të larta për nënshtetasit e saj, ajo i mëson t’i arrijnë ato.—Isaia 48:17, 18.
Misioni. Mbretëria e Perëndisë nuk i pasuron sundimtarët e saj në kurriz të nënshtetasve. Përkundrazi, ajo do të kryejë vullnetin e Perëndisë, ku përfshihet edhe premtimi se ata që e duan Perëndinë do të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore.—Isaia 35:1, 5, 6; Mateu 6:10; Zbulesa 21:1-4.