A është vetëm një mit historia e Noesë dhe e Përmbytjes së madhe?
Përgjigjja e Biblës
Përmbytja ishte një ngjarje e vërtetë. Ndonëse Perëndia e solli Përmbytjen që të shkatërronte të ligjtë, i ruajti njerëzit e mirë dhe kafshët duke i thënë Noesë të ndërtonte një arkë. (Zanafilla 6:11-20) Ne mund ta besojmë që Përmbytja ndodhi vërtet sepse është e dokumentuar në Shkrimet e Shenjta, të cilat janë ‘të frymëzuara nga Perëndia’.—2 Timoteut 3:16.
Histori e vërtetë apo përrallë?
Bibla tregon se Noeja ishte një person real dhe se Përmbytja ishte një ngjarje e vërtetë, jo një përrallë ose një mit.
Shkrimtarët e Biblës besonin se Noeja ishte një person real. Për shembull, Ezdra dhe Luka, shkrimtarë të Biblës, ishin historianë të zotë dhe e përfshinë Noenë në gjenealogjitë e kombit të Izraelit. (1 Kronikave 1:4; Luka 3:36) Shkrimtarët e Ungjillit të Mateut dhe të Lukës i dokumentuan fjalët që Jezui tha për Noenë dhe Përmbytjen.—Mateu 24:37-39; Luka 17:26, 27.
Po ashtu, profeti Ezekiel dhe apostulli Pavël e kanë përmendur Noenë si një shembull besimi dhe drejtësie. (Ezekieli 14:14, 20; Hebrenjve 11:7) A do të kishte kuptim që këta shkrimtarë t’i referoheshin një personazhi mitologjik si shembull për t’u ndjekur? Është e qartë se Noeja dhe burra e gra të tjerë me besim janë shembuj për t’u imituar sepse kanë jetuar vërtet.—Hebrenjve 12:1; Jakovi 5:17.
Bibla jep hollësi specifike rreth Përmbytjes. Kur Bibla flet për Përmbytjen nuk fillon me shprehjen «na ishte njëherë» sikur të tregonte një përrallë. Përkundrazi, ajo thotë vitin, muajin dhe ditën në të cilën ndodhi Përmbytja. (Zanafilla 7:11; 8:4, 13, 14) Gjithashtu tregon përmasat e arkës që ndërtoi Noeja. (Zanafilla 6:15) Këto hollësi vërtetojnë se Bibla e paraqet Përmbytjen si histori të vërtetë dhe jo si përrallë.
Pse ndodhi Përmbytja?
Sipas Biblës, para Përmbytjes, «e keqja e njeriut ishte e madhe». (Zanafilla 6:5) Ajo shton se «toka u prish para syve të Perëndisë së vërtetë», pasi ishte mbushur me dhunë dhe imoralitet seksual.—Zanafilla 6:11; Juda 6, 7.
Bibla thotë se shumë nga këto probleme erdhën nga engjëjt e ligj, të cilët i lanë qiejt për të pasur marrëdhënie seksuale me gratë në tokë. Pasardhësit e këtyre engjëjve, që u quajtën nefilimë, u shkaktuan njerëzve shumë dëme e vuajtje. (Zanafilla 6:1, 2, 4) Zoti vendosi ta pastronte tokën nga ligësia dhe u dha njerëzve të mirë mundësinë t’ia nisnin nga e para.—Zanafilla 6:6, 7, 17.
A e dinin njerëzit që do të vinte Përmbytja?
Po. Perëndia i tregoi Noesë se çfarë do të ndodhte dhe e udhëzoi të ndërtonte një arkë për të shpëtuar familjen e tij dhe kafshët. (Zanafilla 6:13, 14; 7:1-4) Noeja i paralajmëroi njerëzit për shkatërrimin që u kanosej, por ata e shpërfillën. (2 Pjetrit 2:5) Në lidhje me këtë, Bibla thotë: «Nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë.»—Mateu 24:37-39.
Ç’pamje kishte arka e Noesë?
Arka ishte një kuti drejtkëndore rreth 133 metra e gjatë, 22 metra e gjerë dhe 13 metra e lartë. a Ajo u bë nga druri i pemëve rrëshinore e lyer me zift jashtë e brenda. Kishte tri kate, disa ndarje, një derë anash dhe me sa duket një dritare përgjatë gjithë pjesës së sipërme të mureve. Ka mundësi të kishte një çati pak të ngritur në mes që të kullonte uji i shiut.—Zanafilla 6:14-16.
Sa kohë iu desh Noesë ta ndërtonte arkën?
Bibla nuk e thotë, por me sa duket Noesë iu deshën disa dekada për ta përfunduar atë. Noeja ishte mbi 500 vjeç kur i lindi djali i parë dhe 600 vjeç kur ndodhi Përmbytja. b—Zanafilla 5:32; 7:6.
Nga momenti kur bijtë e Noesë lindën e u martuan mund të kenë kaluar rreth 50 a 60 vjet. Në këtë kohë Perëndia i tha Noesë të ndërtonte arkën. (Zanafilla 6:14, 18) Duke u bazuar në këtë mundësi, arrijmë në përfundimin se për të ndërtuar arkën mund të jenë dashur 40 a 50 vjet.
a Në Bibël, përmasat e arkës jepen në kute. «Kuti standard hebraik ishte 44,45 cm.»—The Illustrated Bible Dictionary, botimi i rishikuar, pjesa 3, faqja 1635.
b Për jetëgjatësinë e njerëzve si Noeja, shih artikullin «A jetuan vërtet aq gjatë njerëzit në kohët biblike», në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 2010.