Pse vdiq Jezui?
Përgjigjja e Biblës
Jezui vdiq që njerëzve t’u falen mëkatet dhe të jetojnë përgjithmonë. (Romakëve 6:23; Efesianëve 1:7) Gjithashtu, vdekja e tij provoi se njeriu mund t’i qëndrojë besnik Perëndisë edhe përballë vështirësive më të mëdha.—Hebrenjve 4:15.
Shih se si falë vdekjes së një njeriu mund të arrihen kaq shumë gjëra.
Jezui vdiq që ‘të na falen mëkatet’.—Kolosianëve 1:14.
Njeriu i parë, Adami, u krijua i përsosur, pa mëkat. Gjithsesi, ai zgjodhi të mos i bindej Perëndisë. Mosbindja e Adamit, ose mëkati, ndikoi jashtëzakonisht te të gjithë pasardhësit e tij. Bibla shpjegon: «Nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, shumë u bënë mëkatarë.»—Romakëve 5:19.
Edhe Jezui ishte i përsosur, ama nuk mëkatoi kurrë. Ja pse mund të ishte «një flijim pajtues për mëkatet tona». (1 Gjonit 2:2) Ashtu si familja njerëzore u infektua me mëkat nëpërmjet mosbindjes së Adamit, po kështu vdekja e Jezuit hoqi njollën e mëkatit për të gjithë ata që tregojnë besim tek ai.
Në njëfarë kuptimi, Adami ia shiti njerëzimin mëkatit. Kurse Jezui e ribleu familjen njerëzore duke dhënë vullnetarisht jetën për ne. Si rrjedhojë, «nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, që është i drejtë, Jezu Krishtin».—1 Gjonit 2:1.
Jezui vdiq «që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme».—Gjoni 3:16.
Adami u krijua që të jetonte përgjithmonë, por mëkati i solli vdekjen. «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.
Në kontrast me këtë, vdekja e Jezuit jo vetëm pastroi njollën e mëkatit, por edhe hoqi dënimin me vdekje për të gjithë ata që tregojnë besim tek ai. Bibla e përmbledh kështu: ‘Sikurse mëkati mbretëroi bashkë me vdekjen, ashtu edhe dashamirësia e pamerituar mbretëroi nëpërmjet drejtësisë, për të sjellë jetën e përhershme, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë.’—Romakëve 5:21.
Sigurisht, njerëzit sot nuk jetojnë përgjithmonë. Megjithatë, Zoti premton se do t’u dhurojë jetë të përhershme njerëzve të drejtë dhe se do të ringjallë të vdekurit që të nxjerrin dobi nga vdekja flijuese e Jezuit.—Psalmi 37:29; 1 Korintasve 15:22.
Jezui «u bind madje deri në vdekje», duke provuar se njeriu mund t’i qëndrojë besnik Perëndisë në çdo sprovë a vështirësi.—Filipianëve 2:8.
Ndonëse me mendje e trup të përsosur, Adami nuk iu bind Perëndisë sepse nga egoizmi dëshiroi diçka që nuk i takonte. (Zanafilla 2:16, 17; 3:6) Më vonë, kryearmiku i Zotit, Satanai, tha se asnjë njeri nuk do t’i bindej Perëndisë pa motive egoiste, sidomos po t’i rrezikohej jeta. (Jobi 2:4) E megjithatë, njeriu i përsosur Jezu iu bind Zotit dhe i qëndroi besnik, edhe kur përjetoi një vdekje të dhimbshme e çnderuese. (Hebrenjve 7:26) Kjo zgjidhi përfundimisht çështjen: njeriu mund t’i qëndrojë besnik Perëndisë, pavarësisht nga çdo sprovë a vështirësi.
Pyetje për vdekjen e Jezuit
Pse duhej patjetër të vuante e të vdiste Jezui që të shpengonte njerëzit? Pse Perëndia nuk e hoqi dënimin me vdekje?
Ligji i Perëndisë thotë se «paga që paguan mëkati është vdekja». (Romakëve 6:23) Perëndia nuk ia fshehu këtë ligj Adamit, përkundrazi i tha se, po të mos bindej, do të vdiste. (Zanafilla 3:3) Kur Adami mëkatoi, Zoti, «që nuk mund të gënjejë», e mbajti fjalën. (Titit 1:2) Adami u trashëgoi pasardhësve jo vetëm mëkatin, por edhe pagën për mëkatin—vdekjen.
Edhe pse njerëzit mëkatarë meritojnë të vdesin, Perëndia u shfaqi ‘pasurinë e dashamirësisë së tij të pamerituar’. (Efesianëve 1:7) Masa që mori për të shpenguar njerëzimin, duke dërguar Jezuin si flijim të përsosur, ishte plotësisht e drejtë dhe jashtëzakonisht e mëshirshme.
Kur vdiq Jezui?
Jezui vdiq «orën e nëntë» duke filluar nga lindja e diellit, ose rreth orës tre pasdite të Pashkës judaike. (Marku 15:33-37, shënimi) Sipas kalendarëve të sotëm, kjo ngjarje ka ndodhur të premten, më 1 prill të vitit 33 të e.s.
Ku vdiq Jezui?
Jezui u ekzekutua «në vendin që quhej Vendi i Kafkës, në hebraisht Gólgotha». (Gjoni 19:17, 18) Në atë kohë ky vend ndodhej «jashtë portës» së qytetit të Jerusalemit. (Hebrenjve 13:12) Ka të ngjarë të ketë qenë mbi një kodër, meqë Bibla thotë se disa e panë «nga larg» ekzekutimin e Jezuit. (Marku 15:40) E megjithatë, sot nuk dihet me siguri ku ndodhet Golgotha.
Si vdiq Jezui?
Megjithëse shumë besojnë se Jezuin e kryqëzuan—pra e ekzekutuan në një kryq—Bibla tregon: «Perëndia i etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru.» (Veprat 5:30, Diodati i Ri) Për të përshkruar mjetin ku u ekzekutua Jezui, shkrimtarët e Biblës përdorën dy fjalë greke—staurós dhe ksílon. Shumë studiues kanë arritur në përfundimin se këto fjalë i referohen një trau ose një shtylle të drejtë, e përbërë nga një copë druri e vetme.
Si duhet kujtuar vdekja e Jezuit?
Jezui u la modelin dishepujve me anë të një procedure të thjeshtë natën e Pashkës së përvitshme judaike. Pastaj i urdhëroi: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (1 Korintasve 11:24) Pas disa orësh e vranë.
Shkrimtarët e Biblës e krahasuan Jezuin me qengjin që flijohej gjatë Pashkës. (1 Korintasve 5:7) Ashtu si festa e Pashkës u kujtonte izraelitëve se ishin çliruar nga skllavëria, edhe Përkujtimi i vdekjes së Jezu Krishtit u kujton të krishterëve se janë çliruar nga mëkati dhe nga vdekja. Pashka, e cila mbahej më 14 nisan sipas kalendarit hënor, ishte festë e përvitshme; po njësoj të krishterët e hershëm e mbanin Përkujtimin një herë në vit.
Çdo vit, në datën që përkon me 14 nisanin, miliona njerëz anembanë botës përkujtojnë vdekjen e Jezuit.