Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Gjoni 15:13—«Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo»

Gjoni 15:13—«Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo»

 «Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën për miqtë e vet.»—Gjoni 15:13, Përkthimi Bota e Re.

 «Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.»—Gjoni 15:13, Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i Gjonit 15:13

 Jezui po i ndihmonte dishepujt të kuptonin se duhej ta donin kaq shumë njëri-tjetrin, sa të ishin të gatshëm edhe të vdisnin për njëri-tjetrin.

 Një varg më lart, Jezui u tha apostujve: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.» (Gjoni 15:12) Ç’lloj dashurie kishte Jezui për ta? Dashuri altruiste ose vetëmohuese. Kur ishte në tokë, Jezui vuri nevojat dhe interesat e dishepujve dhe të të tjerëve para të tijave. Ai shëroi plot njerëz dhe i mësoi për Mbretërinë e Perëndisë. a Madje, me përulësi bëri edhe punë të rëndomta vetëm për të mirën e të tjerëve. (Mateu 9:35; Luka 22:27; Gjoni 13:3-5) Megjithatë, te Gjoni 15:13, Jezui po fliste për një akt dashurie më të jashtëzakonshëm. Në fakt, vetëm pak orë pasi tha këto fjalë, Jezui tregoi dashuri tejet të madhe kur me gatishmëri dha «jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mateu 20:28; 22:39) Kështu tregoi në një mënyrë të jashtëzakonshme se i deshi të tjerët më shumë se veten.

 Jezui i do të gjithë njerëzit. Por ka veçanërisht për zemër ata që jetojnë sipas mësimeve të tij. Ai i konsideronte dishepujt miq të ngushtë, sepse u bindeshin urdhërimeve të tij dhe nuk e braktisën në kohë sprovash. (Luka 22:28; Gjoni 15:14, 15) Ndaj kishte arsye edhe më të forta që të jepte jetën për ta.

 Të krishterët e shekullit të parë ua vunë veshin fjalëve të Jezuit dhe ishin gati të vdisnin për njëri-tjetrin. (1 Gjonit 3:16) Në fakt, dashuria altruiste—ajo dashuri që shfaqi edhe Jezui—do të bëhej shenja identifikuese e të krishterëve të vërtetë.—Gjoni 13:34, 35.

Konteksti i Gjonit 15:13

 Te kapitujt 13 deri 17 të Ungjillit të Gjonit gjenden fjalët e fundit që u tha Jezui 11 apostujve besnikë dhe lutja e fundit që bëri me ta. Ai vdiq vetëm pak orë më vonë. Në kapitullin 15, Jezui i krahasoi dishepujt me degën e një hardhie, për të ilustruar se ata duhej të qëndronin në unitet me të që të jepnin prova se ishin dishepuj të vërtetë. Ai i nxiti ‘të jepnin shumë fryt’. (Gjoni 15:1-5, 8) Një mënyrë si e bëjnë këtë, është duke treguar dashuri vetëmohuese për të tjerët, sidomos kur predikojnë mesazhin për të cilin foli Jezui—«lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë».—Luka 4:43; Gjoni 15:10, 17.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Gjonit.

a Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore. Perëndia e formoi Mbretërinë që të përmbushë vullnetin e tij për të qeverisur tokën. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Për më shumë informacion, lexo artikullin «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?»