Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Zbulesa 21:1—«Një qiell të ri e një tokë të re»

Zbulesa 21:1—«Një qiell të ri e një tokë të re»

 «Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re, sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar dhe deti nuk ishte më.»—Zbulesa 21:1, Përkthimi Bota e Re.

 «Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më.»—Zbulesa 21:1, Bibla Simon Filipaj.

Kuptimi i Zbulesës 21:1

 Me një gjuhë figurative, ky varg tregon se Mbretëria qiellore e Perëndisë do t’i zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore. Mbretëria do të zhdukë njerëzit e ligj dhe do të qeverisë mbi një shoqëri të re me njerëz që i nënshtrohen me dëshirë autoritetit të saj.

 Libri i Zbulesës paraqitet «me anë të shenjave», ose të simboleve. (Zbulesa 1:1) Ndaj është e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se qielli dhe toka të përmendura në këtë varg nuk janë të mirëfilltë, por figurativë. Për më tepër, «qiejt e rinj» dhe «toka e re» figurative përmenden edhe në vargje të tjera të Biblës. (Isaia 65:17; 66:22; 2 Pjetrit 3:13) Shqyrtimi i këtyre shkrimeve dhe i tregimeve të tjera nga Bibla na ndihmojnë të kuptojmë se ç’domethënie kanë qielli i ri dhe toka e re.

 ‘Qielli i ri.’ Me raste, Bibla e përdor fjalën «qiell» për t’iu referuar qeverive ose autoriteteve sunduese. (Isaia 14:12-14; Danieli 4:25, 26) Ja pse një vepër referimi thotë se në vegimet profetike «qielli simbolizon autoritetet sunduese ose qeveritë». a Te Zbulesa 21:1, me sa duket ‘qielli i ri’ i referohet Mbretërisë së Perëndisë. Kjo qeveri qiellore, që nganjëherë quhet edhe «Mbretëria e qiejve», përmendet gjatë gjithë librit të Zbulesës, si edhe në libra të tjerë të Biblës. (Mateu 4:17; Veprat 19:8; 2 Timoteut 4:18; Zbulesa 1:9; 5:10; 11:15; 12:10) Në fund, Mbretëria e Perëndisë me Jezuin si Mbret do të zëvendësojë ‘qiellin e mëparshëm’, pra, të gjitha qeveritë e papërsosura të krijuara nga njerëzit.—Danieli 2:44; Luka 1:31-33; Zbulesa 19:11-18.

 ‘Toka e re.’ Bibla thotë se toka e mirëfilltë nuk do të shkatërrohet e nuk do të zëvendësohet kurrë. (Psalmi 104:5; Eklisiastiu 1:4) Atëherë, çfarë përfaqëson toka figurative? Shpesh në Bibël fjala «tokë» përdoret për t’iu referuar njerëzimit. (Zanafilla 11:1; 1 Kronikave 16:31; Psalmi 66:4; 96:1) Ndaj, ‘toka e re’ duhet t’i referohet një shoqërie të re njerëzore që i nënshtrohet me dëshirë qeverisë qiellore të Perëndisë. «Toka e mëparshme», pra, shoqëria njerëzore që i kundërvihet Mbretërisë së Perëndisë, do të shkatërrohet.

 «Deti nuk ishte më.» Në harmoni me pjesën tjetër të Zbulesës 21:1, edhe «deti» është simbolik. Shpesh deti është i trazuar dhe me dallgë, ndaj është një krahasim i përshtatshëm për shumicën e njerëzimit që shkaktojnë trazira ngaqë nuk duan ta njohin Perëndinë e t’i binden. (Isaia 17:12, 13; 57:20; Zbulesa 17:1, 15) Edhe këta do të shfarosen. Psalmi 37:10 thotë: «Edhe pak dhe të ligjtë nuk do të jenë më; do të shohësh vendin ku ishin dikur, por ata nuk do të jenë më.»

Konteksti i Zbulesës 21:1

 Libri i Zbulesës parathotë atë që ndodh «në ditën e Zotërisë». (Zbulesa 1:10) Sipas profecisë së Biblës, kjo ditë filloi më 1914 kur Jezui nisi të qeveriste si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. b Ama, ai nuk do të ushtronte menjëherë autoritet të plotë mbi tokën. Në fakt, profeci të tjera tregojnë se kushtet botërore do të keqësoheshin gjatë pjesës së parë ‘të ditës së Zotërisë’. Kjo periudhë fillestare quhet «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5, 13; Mateu 24:3, 7; Zbulesa 6:1-8; 12:12) Kur të mbarojnë ditët kritike plot halle, Mbretëria e Perëndisë do të heqë qiellin dhe tokën e vjetër simbolike e do të sjellë një epokë të re ku do të lulëzojnë paqja dhe harmonia. Në atë kohë nënshtetasit e Mbretërisë—‘toka e re’—do të gëzojnë kushte jetese ideale dhe shëndet të përsosur.—Zbulesa 21:3, 4.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Zbulesës.

a Enciklopedia e Meklintokut dhe e Strongut (1891), vëllimi IV, faqja 122.